Auditori gjen shkelje të prokurimit në KEK
Lexohet për: 6 min.
kek - Copy
2 vite më parë
Linku u kopjua

Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin e auditimit të performancës së prokurimit në Korporatën Energjetike të Kosovës ka konkluduar se kjo kompani nuk ishte siguruar që fondet dhe burimet e saj të ishin përdorur në mënyrën më ekonomike, duke marrë në konsideratë qëllimin dhe lëndën e prokurimit.

“Korporata Energjetike e Kosovës kishte zhvilluar disa aktivitete të prokurimit në atë mënyrë që kishte reduktuar apo eliminuar konkurrencën në mes të operatorëve ekonomik ose kishte diskriminuar në dëm ose në të mirë të një ose më shumë operatorëve ekonomik”, thuhet në raport.

Aty theksohet se “aktivitetet e prokurimit janë realizuar kryesisht me negocim të çmimit me ç’rast Korporata Energjetike e Kosovës, përveç që nuk ka siguruar transparencë në prokurim, ka paguar më shtrenjtë për mallrat dhe shërbimet e blera”.

Në konkluzat e Zyrës së Auditimit thuhet se “përfundimet audituese tregojnë se Korporata Energjetike e Kosovës nuk kishte arritur që fondet publike t’i përdorë në mënyrë ekonomike dhe efikase, kishte mungesë të transparencës si dhe kufizim të konkurrencës”.

Gjatë viteve 2018-2020 vlera e përgjithshme e kontratave që KEK-u kishte lidhur ishte 181.5 milion euro.

Vlera e kontratave të lidhura me procedurë të negociuar, gjatë viteve 2018-2020, arrin afër 33 milionë euro, që përfaqëson 18% të vlerës totale të kontratave të lidhura nga KEK-u, ndërsa pjesa tjetër prej 82% janë kontrata me procedurë të hapur.

Zyra ka audituar afër 35% të vlerës totale të prokurimeve, kontrata të negociuara në vlerë prej 7.75 milionë euro dhe 55 milion euro nga procedurat e hapura.

“KEK-u i kishte zhvilluar 34 aktivitete të prokurimit për blerje të kushinetave të llojeve të ndryshme gjatë viteve 2018-2020. Në vitin 2018 i kishte zhvilluar 12 aktivitete pastaj 12 në vitin 2019 dhe 10 aktivitete në vitin 2020. Dhjetë prej këtyre kontratave i kishte fituar një operator ekonomik i vetëm, ose gati 30% të kontratave”, thuhet në raport.

Bashkëpunimi me media

Për promovimin e Korporatës, gjegjësisht për vetëdijësimin e opinionit lidhur me veprimtarinë e saj, KEK-u kishte lidhur gjithsej 98 kontrata të negociuara me vlerë të përgjithshme 377,140 euro, gjatë viteve 2018-2020.

KEK-u kishte negociuar me 46 operatorë ekonomikë (media audio-vizuele) kontrata, çmimi i të cilave fillonte prej 2,000 euro deri në 8,400 euro në vit.

Mirëpo, Zyra e Auditorit ka gjetur se “KEK-u nuk kishte aplikuar kritere të qarta për të përzgjedhur operatorëve ekonomik që më së miri do të përmbushnin objektivin e synuar”.

"KEK-u nuk kishte kërkuar nga asnjëri operatorë ekonomikë që të sillte çfarëdo dëshmie lidhur me numrin dhe llojin e audiencës (shikuesve, lexuesve), pra kapaciteti i secilit operator ekonomik në drejtim të realizimit të objektivave të synuara të KEK-ut ishte i panjohur. KEK-u kishte lidhur këso kontrata vit pas viti duke shpenzuar mesatarisht 162 mijë euro në vit, pa e matur asnjëherë efektin e këtyre kontratave”, thuhet në raport.

Në përgjigjen e KEK-ut drejtuar Zyrës së Auditorit thuhet se "ky aktivitet nuk ndërlidhet domosdoshmërisht me produktin, pra ne në asnjë rrethanë nuk kemi reklamuar produktin por aktivitetet e korporatës".

" KEK-u ka një buxhet prej afër 200 milion euro që në përqindje shuma e shpenzuar për promovim te punës dhe aktiviteteve te KEK-ut, është me
pak se 0.01% e të hyrave vjetore dhe qëllimi është që KEK-u si ndërmarrje publike me aksionar 100% Qeverinë e Republikës së Kosovës ka për obligim të tregojë transparencë të plotë në opinion dhe kjo bëhet përmes njoftimeve në media si dhe promovimin punës, aktiviteteve projekteve ambientale dhe për komunitetin me qëllim të ngritjes se imazhit të saj karshi opinionit dhe komunitetit për rreth hapësirave të saja operuese", thuhet në përgjigje.

Gjetje tjera

Auditori gjithashtu ka gjetur se KEK-u nuk ishte efikas në menaxhimin e kontratës për riparimin e stacionit veprues.

“Kontrata është zbatuar me 10 muaj vonesë. Shkaqet që kishin çuar në këtë gjendje ishin: mos përcjellja aktive e zbatimit të kontratës, mos azhurnimi i datave të dakorduara me kohë dhe mos aplikimi i gjobave për vonesa që rezultuan me mos arritje të objektivave të përcaktuara. Njësia kërkuese (shfrytëzuesi i stacionit veprues) kishte hasur në vështirësi në punë pasi që pajisja e re nuk kishte arritur të përfundohet me kohë për t’u futur në punë”, thuhet në raport.

Gjithashtu në raport thuhet se “bazuar në analizën e katër kontratave për blerje të kushinetave, rezulton se rreth gjysmës së kushinetave të blera iu skadon afati i garancisë ndërsa janë ende në depo, sepse nuk hyjnë në përdorim as 12 muaj pas blerjes. Kjo mund të paraqesë problem sidomos nëse kushinetat e blera janë me defekte”.

“KEK-u kishte lidhur një kontratë në vlerë prej 62,160 euro për blerje të kushinetave. Operatori Ekonomik i kishte dorëzuar kushinetat në depo të KEK-ut në janar të vitit 2021. Në fund të vitit 2021 gjendja në depo kishte ndryshuar shumë pak. Shumica e këtyre kushinetave ishin ende në depo, ndërsa KEK-u kishte kërkuar garanci për vetëm 12 muaj. Garancia më nuk ishte e vlefshme ndërsa kushinetat ende nuk ishin montuar në pajisje të KEK-ut. Për pasojë çfarëdo defekti eventual që mund të ketë në kushinetat e blera nuk mund të reklamohet tek operatori ekonomik”, thuhet në raport.

"Megjithëse ka kartelë të veçantë për secilën kushinetë të blerë dhe dihet saktë se kur është pranuar kushineta e kur ka dalë nga depoja, as menaxhmenti i KEK-ut e as zyra e prokurimit nuk kishin informacion lidhur me këtë gjendje. Nga kjo rezulton se KEK-u ka blerë, pa pasur nevojë, një numër të konsiderueshëm të kushinetave", ka gjetur auditori.

Transporti i punëtorëve

Një çështje tjetër që e ka ngritur Zyra e Auditorit është prokurimi në kontrata për transportin e punëtorëve.

Ndryshimi i specifikimit teknik nga pakujdesia kishte sjellë shpenzime shtesë në kontratat për shërbime të transportit të punëtorëve të KEK-ut, ndërsa efekti i ndryshimit është i panjohur.

“Me këtë ndryshim numri i kilometrave nga 92,100 ishte rritur në 93,264 apo 1,164 km më shumë që kishte sjellë shpenzime shtesë në vlerë prej 25,565 euro, por nuk dihet a kishte sjellë edhe vlerë për punëtorët e KEK-ut që shfrytëzonin transportin, sidomos kur kihet parasysh që numri i tyre kishte rënë vit pas viti mesatarisht 4%”, thuhet në raport.

Kufizimi i Konkurencës sipas Auditorit ishte bërë në disa tenderë për të cilat KEK-u kishte vënë kritere kufizuese të përshtatshmërisë teknike dhe profesionale.

Këto tenderë përfshijnë shërbimet e transportit të punëtorëve të KEK-ut dhe Shërbimet e sigurimit fizik të objekteve të KEK-ut të cilat kishin ndikuar në prolongimin e përmbylljes së aktiviteteve të prokurimit.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025