Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka filluar auditimin e performancës me temën “Prokurimet e negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në vitin 2021”.
Fokus kryesor i auditimit janë aktivitetet e prokurimit me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, përmes së cilave MMPHI-ja kishte shpenzuar shuma të konsiderueshme të parave.
Aktivitetet e prokurimit, në çdo autoritet kontraktues duhet të zhvillohen në pajtim me parimet e ekonomisë, efikasitetit dhe trajtimit të barabartë, parime të sanksionuara me ligjin e prokurimit publik.
Këto parime kanë për qëllim të sigurojnë se prokurimi për mallra, shërbime dhe punë e arrin qëllimin e përcaktuar si dhe ndihmon organizatën në arritjen e objektivave të saj.
Fushëveprimi i këtij auditimi janë kontratat e lidhura përmes procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, në vlerë afër 4.9 milionë euro (14 kontrata).
Ky auditim synon të rrisë llogaridhënien, transparencën dhe integritetin e aktiviteteve të prokurimit publik në MMPHI dhe aty ku është e nevojshme të ofrojë rekomandime që fondet e shpenzuara publike arrijnë vlerën për para.