Pas betimit, kryetari i veriut të Mitrovicës, Erden Atiq, ka deklaruar se ai dhe ekipi i tij do të jenë në shërbim të të gjithë qytetarëve, pa dallim.
Ai ka ftuar të gjithë qytetarët e pjesës veriore të Mitrovicës që të takojnë politikanët e zgjedhur në mënyrë të arrjnë bashkëpunimin.
“Unë si kryetar komune, me gjithë ekipin, do të punojmë për të gjithë qytetarët e komunës veriore të Mitrovicës, pa dallim dhe pa diskriminim. Angazhimin më të madh kemi me bë për me normalizu këtë pjesë të komunës edhe i bëj ftesë të gjithë qytetarëve që të vinë të na takojnë dhe të na vizitojnë këtu dhe të bashkëpunojnë sam ë mirë për të mirën e qytetarëve”, ka thënë ai.
E për ta mbështetur në ditën kryesore të tij, krah kryetarit të ri të veriut të Mitrovicës ka qëndruar ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.
Ndërsa nënkryetarja e zgjedhur, Katarina Axhanqiq, ka thënë se është koha të punohet së bashku duke pasur prioritet interesat e qytetarëve.
“Mendoj se është koha që më në fund të ulemi dhe të pajtohemi së bashku se cilat janë prioritetet e qytetarëve tanë, qytetarët tanë meritojnë, nëse e meritojnë të gjithë, por sidomos qytetarët tanë, t'ua lehtësojmë, t'ua bëjmë jetën më të mirë, që më në fund të fillojnë të rregullojmë diçka dhe të bëjmë diçka", ka thënë ajo.
E veçanta e kësaj ishte flamuri shtetëror i Kosovës, i cili është vendosur për herë të parë në këtë objekt.
Gjithçka ka kaluar pa incidente, ndërsa përreth objektit të Komunës është parë prezencë e shtuar e forcave të sigurisë.