Shumica e serbëve në katër komunat në veri të Kosovës duket se po i bojkotojnë zgjedhjet e parakohshme lokale në atë pjesë. Nga 45,095 qytetarë me të drejt vote, deri në orën 15:00, kanë votuar vetëm 1092 persona. Ndërkohë, nga 19 qendra të votimit, në pesë qendra nuk ka shkuar asnjë qytetarë për të votuar.
Sipas burimeve të KosovaPress-it, deri në këto momente asnjë qytetarë nuk ka shfrytëzuar të drejtën kushtetuese për të votuar në dy qendra të votimit në Zubim Potok, pastaj në dy qendra të votimit në Leposaviq dhe një qendër në Zveçan.
Në dhjetor të vitit 2022, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ndikuar nga situata e brishtë e sigurisë, mori vendim për të shtyrë për disa muaj datën e zgjedhjeve, nga 18 dhjetori në 23 prill.
Që nga shpallja e datës së re të zgjedhjeve, partia më e madhe serbe, Lista Serbe, u ka bërë thirrje qytetarëve serbë që të bojkotojnë këto zgjedhje. Njëjtë ka vepruar edhe shteti serb, presidenti i të cilit, Aleksandër Vuçiq edhe personalisht ka përsëritur thirrjet për bojkot, duke pretenduar se vetëm “100 serbë” do të marrin pjesë në to.
Në përgjithësi, numri i kandidatëve të certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet për kryetar të katër komunave është 11, ndërsa më shumë se 60 kandidatë janë certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet për dy kuvendet komunale.
Në zgjedhjet për kryetar të komunës së Leposaviqit në garë janë: Albulena Hetemi Behluli (PDK) Aleksandër Jablanoviq (PKS) dhe Lulzim Hetemi (VV).
Në Zveçan kandidojnë Ilir Peci nga PDK-së, Fetah Peci nga VV, ndërsa Sladjana Pantoviq është kandidate e pavarur.
Në zgjedhjet për kryetar të Mitrovicës së Veriut garojnë Iniciaitva Qytetare Mitrovica me kandidatin Betim Osmani, PDK me Taulant Kelmendin dhe Vetëvendosje me Erden Atiq.