Tensionet në komunat më veriore të Republikës vlerësohet se po ndikojnë negativisht në aspektin ekonomik. Njohës të fushës së ekonomisë vlerësojnë se kjo situatë është tejet shqetësuese edhe për investitorët e huaj, duke i kërkuar Qeverisë së Kosovës që t’i thërrasë mendjes dhe të punojë drejt shtensionimit të situatës.
Eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj thotë për KosovaPress tensionet e muajit të fundit në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, kanë bërë që vendi të humbasë investimet e mundshme që vijnë nga jashtë.
Sipas tij, asnjë investitor nuk dëshiron të investojë në një vend ku nuk ka siguri për kapitalin e tyre.
Edhe ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gerxhaliu vlerëson se stabiliteti politik është esencial për zhvillim ekonomik në vend, porse kjo sipas tij, është duke i munguar vendit.
Njohësi i ekonomisë, Nagip Skenderi, gjithashtu tërheq vëmendjen se situata politike e dëmton Kosovën në aspektin ekonomik, e rrjedhimisht ndikon në investimet e huaja.
Skenderi vlerëson se Kosova nuk ofron kushte të favorshme për tërheqjen e investitorëve të huaj. Kështu vendi vazhdon të çalojë në tërheqjen e investimeve të huaja direkte, pasi që viteve të fundit nuk solli asnjë investitor të madh strategjik.
Janë bërë më shumë se tri vjet që kur Kosova nuk ka ligj për investimet strategjike. Ndërkaq, Projektligji për investime të qëndrueshme i miratuar në muajin janar të këtij viti nga qeveria, ende nuk është shqyrtuar në parim në Kuvendin e Kosovës.
Kosova mbetet me trendin më negativ të investimeve të huaja krahasuar me shtetet e rajonit, si Serbia, Maqedonia Veriore dhe Shqipëria./E.Krasniqi