Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar rezultatet e Anketës së Ekonomive Bujqësore për vitin 2021. Ky publikim ofron të dhëna për shfrytëzimin e tokës bujqësore, kulturat bujqësore, blegtorinë dhe produktet blegtorale, inputet bujqësore (plehrat minerale, organike, pesticidet) dhe shpenzimet në ekonomitë bujqësore.
Rezultatet e kësaj ankete tregojnë se në Kosovë sipërfaqja e shfrytëzuar e tokës bujqësore ishte 420 326.60 hektarë (përfshirë tokën e përbashkët). Nga gjithsej sipërfaqja e shfrytëzuar e tokës bujqësore, pjesa më e madhe u përket livadheve dhe kullosave (përfshirë tokën e përbashkët) me 51.65%, ndërsa toka e punueshme - arat marrin pjesë me 44.82%; kulturat shumëvjeçare (pemët, vreshtat, fidanët) me 3.27%; dhe kopshtet me 0.29%.
Sipërfaqe e ujitur, të paktën një herë gjatë periudhës referuese të anketës, është 32 040.14 ha. Kurse, gjithsej sipërfaqja e trajtuar me pesticide ishte 122 138.02 ha.
Sipas rezultateve të AEB 2021, numri i gjedheve ishte 260 528 krerë; i deleve ishte 211 354 krerë; i dhive ishte 30 039 krerë; i derrave ishte 47 384 krerë; i njëthundrakëve (kuaj, mushka, gomarë) ishte 1 864 krerë; i shpezëve (pula, qura, rosa dhe pata) ishte 2 788 435 krerë; dhe gjithsej numri i koshereve të bletëve ishte 219 077.