“Mos përdorni paranë publike për vota”, Hamza me thirrje ndaj qeverisë
Lajme
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
“Mos përdorni paranë publike për vota”, Hamza me thirrje ndaj qeverisë
hamza
28/05/2026 - 14:05
Linku u kopjua

Kryetari dhe kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, u ka bërë thirrje partive që fushata zgjedhore të jetë e qetë, demokratike, me korrektësi të ndërsjellë dhe me respekt për standardet e zgjedhjeve të lira.

Hamza tha se pushteti ka përgjegjësi të garantojë ndershmëri dhe barazi në zgjedhje dhe të mos lejojë përdorimin e resurseve shtetërore në funksion të fushatës.

“Deri tash, veprimet që kanë ndodhur nga pushteti, garën e bëjnë të pandershme dhe të pabarabartë. Përdorimi i resurseve shtetërore, i parasë publike, në funksion të zgjedhjeve dhe të maksimalizimit të votës për partinë në pushtet, nuk është gjë e duhur. Kjo nuk duhet të ndodhë sepse paraja publike duhet të përdoret në përputhje me ligjin, transparencën, duhet të përdoret për të dhënë efekt në ekonomi dhe jo me qëllim që partia në pushtet ta përdorë paranë publike jashtë rregullave që të ketë vota më shumë për vete. Kjo nuk ka ndodhur dhe nuk duhet të ndodh as tash as në të ardhmen. Prandaj, i bëjë ftesë, i kërkoj qeverisë që resurset shtetërore, paranë publike të mos e përdorë me qëllim të krijimit të pabarazisë në garë mes subjekteve politike. Mbi të gjitha, Kosova ka nevojë për garë idesh, jo për gjuhë të urrejtjes, për program me përgjegjësi e assesi për përçarje e përplasje”, tha Hamza, raporton KosovaPress.

Kreu i PDK-së në konferencën e sotme foli edhe për programin zgjedhor të kësaj partie, për të cilin tha se është program konkret, i matshëm dhe i realizueshëm.

"Programi ynë ka disa shtylla, më lejoni që sot para jush ta paraqes shtyllën e parë të programit të PDK-së për zgjedhjet e 7 qershorit. Shtylla e parë është çmime e tatime më të ulëta, paga e pensione më të larta dhe mbështetje për bizneset. Nuk mundet shteti i Kosovës të zhvillohet pa një sektor privat të zhvilluar. Duhet t’i respektojmë ndërmarrjet tona, sepse ata punojnë për vete, punësojnë njerëz, paguajnë paga dhe paguajnë tatime. Prandaj, duhet të krijojmë një ambient të përshatshëm dhe miqësor edhe për bizneset vendore edhe për tërheqjen e investimeve të huaja nga jashtë. Do të marrim masa edhe në pjesën e politikave fiskale edhe në pjesën e sektorit financiar. TVSh-ja duhet të paguhen në brendi, jo në kufi me rastin e importimit të mallit dhe gjërave të tjera për shkak se kjo e lehtëson barrën e bizneseve, e rrit likuiditetin e bizneseve dhe e ulë koston e operimit të bizneseve duke i liruar bizneset që këto pagesa t’i kryejnë pasi ta shesin mallin dhe produktet e tyre. Sigurisht se do të kemi kujdes edhe për të punësuarit dhe për të gjithë ata që realizojnë paga deri në 500 euro do të tatohen me 0%. Prej 500 deri në 800 me 8% dhe vetëm mbi 800 euro do të tatohen me 10%", tha ai.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026