Lucy me shumë sekrete edhe 50 vjet pas zbulimit të saj
Shëndetësi
Lexohet për: 4 min.
Lucy me shumë sekrete edhe 50 vjet pas zbulimit të saj
Foto Arkivë
1 javë më parë
Linku u kopjua

Kanë kaluar 50 vjet qëkur më 24 nëntor 1974, Lucy u zbulua në Etiopi, e cila në atë kohë ishte paraardhësi i parë direkt i gjinisë Homo i gjetur ndonjëherë, si dhe përfaqësuesi i parë i species Australopithecus afarensis.

Studimet mbi eshtrat e Lucy, të cilat konsiderohen 3.18 milionë vjeçare, nuk kanë ndalur kurrë dhe ky hominid ka ende shumë sekrete për të treguar.

"Zbulimi i Lucy ka revolucionarizuar njohuritë mbi evolucionin njerëzor, duke e kthyer një milion vjet mbrapa momentin në të cilin mendohej se kishte origjinën familja njerëzore dhe duke thyer për herë të parë barrierën kohore tre milionë vjeçare," tha antropologu Jacopo Moggi Cecchi, profesor pranë Universitetit të Firences.

Ndoshta asnjë zbulim në fushën e paleoantropologjisë nuk ka pasur të njëjtin ndikim si Lucy, zbuluar nga amerikani Donald Johanson, me një skelet 40% të plotë - një tipar tashmë i jashtëzakonshëm në vetvete.

“Por mendoj se ka ende shumë për të zbuluar. Tani kemi teknika të reja analitike që na lejojnë të ekzaminojmë brendësinë e kockave, si mikro-tomografia, dhe nga të cilat do të jetë e mundur të marrim informacione të reja," tha Cecchi për ANSA.

Nëse në kohën e zbulimit të saj Lucy-t iu dha titulli i paraardhësve të parë direkt  të gjinisë Homo, me kalimin e kohës vendi i saj brenda familjes njerëzore ka ndryshuar për shkak se janë shfaqur lloje të tjera hominidësh që kanë banuar në Afrikë, në të njëjtën periudhë kohore në të cilën jetonte Lucy.

"Ky ishte një potencial kalimtar. Megjithëse, në vitet e fundit, mbetje të tjera të zbuluara sugjerojnë se Homo ka rrënjë të thella. Tani A. afarensis konsiderohet nga shumë si një paraardhës i përbashkët i dy gjinive - Homo dhe Australopithecus,"  komenton Moggi Cecchi.

Përveç pozicionit të Lucy-t mes hominidëve, pesë dekada kërkime kanë hedhur gradualisht dritë mbi figurën e saj, e cila në Etiopi njihet si ‘Dinqinesh’ (‘Je e mrekullueshme’).

Duke u nisur nga fakti që ajo ecte drejt: legeni dhe gjunjët e saj ishin përshtatur qartë për të ecur me dy këmbë, megjithëse ajo kishte ende një tru mjaft të vogël dhe një trup të sipërm, gjë që ndoshta e lejonte të ngjitej në pemë.

Madhësia e femurit zbuloi gjithashtu se Lucy ishte vetëm pak më shumë se një metër e gjatë dhe peshonte rreth 30 kilogramë, afërsisht sa një fëmijë 6-7 vjeçar. Megjithatë, fakti që dhëmbët e saj të mençurisë i kishin shpërthyer tashmë, tregon se në kohën e vdekjes së saj, ajo ishte një e re plotësisht e pjekur.

Disa studime tregojnë gjithashtu se duart e saj, si ato të anëtarëve të tjerë të gjinisë Australopithecus, ndoshta ishin në gjendje të ndërtonin dhe trajtonin mjete, një e dhënë tjetër që kjo aftësi u shfaq shumë përpara Homo.

"Kjo nuk është për t'u habitur. Së pari, sepse ecja me dy këmbë iu lejonte të linin duart e lira dhe, së dyti, sepse janë zbuluar disa vegla të lashta guri që datojnë 3.3 milionë vjet më parë", tha Cecchi.

Lucy tani ka hyrë në imagjinatën kolektive dhe këtë e demonstron suksesi i ekspozitës udhëtuese kushtuar asaj, e cila vazhdoi për gjashtë vjet: nga 2007 deri më 2013, skeleti i saj dhe artefaktet e lidhura me të, udhëtuan në SHBA përpara se të ktheheshin në shtëpi, në Muzeu Kombëtar të Etiopisë në Adis Abeba.

"Zhurma që shoqëroi zbulimin e saj ishte edhe për shkak të aftësisë së madhe të zbuluesit Johanson gjatë publikimit: në vitin pasues, një fotograf i National Geographic ishte i pranishëm në gërmime. Kjo i ka hapur rrugën një mënyre komunikimi dhe transmetimi të këtyre zbulimeve te publiku i gjerë, e cila, sikurse konkludon ai (Johanson) është po aq e rëndësishme," tha Cecchi.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024