Në prag të ndeshjes së fundit në grupin e Ligës së Kombeve kundër Lituanisë, kryeministri Albin Kurti ka mbështetur Kombëtaren e Kosovës, pas vendimit për t’u tërhequr nga fusha e ndeshjes kundër Rumanisë në Bukuresht për shkak të fyerjeve raciste dhe antiKosovë nga tifozët rumunë.
Presidenti i FFK-së Agim Ademi ka falënderuar kryeministrin Kurti për vizitën dhe mbështetjen e tij, duke theksuar rëndësinë e përkrahjes institucionale për Kombëtaren e Kosovës.“Ju përgëzoj për lojën e shkëlqyeshme që keni bërë në Bukuresht, ku keni dominuar në fushën e gjelbër, dhe në të njëjtën kohë shpreh solidaritetin tonë të plotë me qëndrimin që keni mbajtur aty. Ai është qëndrim parimor, i drejtë dhe i dobishëm, edhe për Kosovën, edhe për futbollin, edhe për secilin qytetar të vendit tonë, i cili është ndier i përfaqësuar me deklaratën dhe qëndrimin e kapitenit Amir Rrahmani, për çka ju përgëzoj e ju falënderoj nga zemra”, tha Kurti.
Kryeministri vuri theksin te rëndësia e drejtësisë dhe unitetit përballë sfidave të tilla në të ardhmen.Ai premtoi mbështetje institucionale dhe përfshirje në arenën ndërkombëtare për të luftuar sjelljet e tilla.
“Si Qeveri e Republikës së Kosovës, me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, do të bëjmë gjithçka që këtë betejë ta vazhdojmë edhe në arenën ndërkombëtare politike e diplomatike, por edhe në aspektin ligjor e juridik, në mënyrë që UEFA dhe FIFA t’i dënojnë ata që e meritojnë”, nënvizoi shefi i ekzekutivit kosovar.