Pas grevave paralajmëruese dhe diskutimeve të nxehta, Volkswagen arriti një marrëveshje me sindikatat IG Metal.
Marrëveshja quhet "E ardhmja) Volkswagen" dhe kërkon një "reduktim të fuqisë punëtore". Nuk do të ketë mbyllje fabrikash, por mbi 35 mijë vende pune do të shkurtohen në Gjermani deri në vitin 2030 duke kursyer Volkswagen 1.5 miliardë euro në vit në kostot e punës.
Kryeshefi ekzekutiv i Grupit Volkswagen, Oliver Blume, tha se marrëveshja është një sinjal i rëndësishëm për qëndrueshmërinë e ardhshme të Volkswagen, automjeteve komerciale dhe fabrikave të komponentëve.
“Me paketën e masave të rënë dakord, kompania ka hartuar një rrugë vendimtare drejt së ardhmes së saj për sa i përket kostove, kapacitetit dhe strukturës. Tani jemi edhe një herë në një pozicion për të formuar me sukses fatin tonë”.Fabrika në Emden do të vazhdojë prodhimin e modeleve ID.4 dhe ID.7, ndërsa ajo në Osnabrück do të ndalojë prodhimin e T-Roc Cabrio në mesin e vitit 2027. E ardhmja e kësaj fabrike duket e diskutueshme, por Volkswagen vuri në dukje se "opsionet janë duke u eksploruar".
Zwickau do të prodhojë Audi Q4 e-tron dhe Q4 e-tron Sportback, ndërsa fabrika në Drezden do të ndërpresë prodhimin e ID.3 në fund të 2025. Volkswagen tha se ishte duke eksploruar opsione për fabrikën, duke përfshirë "përdorimin e një pale të tretë".