Arrestohet i dyshuari që përdori dhunë ndaj forcave të sigurisë në Zveçan vitin e kaluar
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar sot një person i cili dyshohet se ka shkaktuar dhunë ndaj forcave të sigurisë në Zveçan në vitin e kaluar.
I njëjti thuhet se ka përdorë dhunë në mënyrë aktive në Zveçan.
“Sot me datë 24.07.2024, pas një pune hetimore dhe operative të ekipeve të Policisë së Kosovës është lokalizuar në rajonin e Mitrovicës Jug, i dyshuari me iniciale (D.D.) ndaj të cilit ishte ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Speciale, lidhur me rastin e sulmit ndaj autoriteteve/forcave ndërkombëtare të sigurisë në Kosovë me datë 29.05.2023, i identifikuar si njëri ndër personat që ka përdor dhunë në mënyrë aktive në Zveçan”, thuhet në njoftimin e Policisë
I arrestuari dyshohet për këto vepra penale:
• Bashkim për veprimtari kundër kushtetuese, me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës
• Rrezikim i personave nën mbrojtje ndërkombëtare
• Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi dhe
• Sulm ndaj personit zyrtar
Sipas Policisë, të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.
Policia po ashtu ka vendosur edhe foton e të dyshuarit duke sulmuar me mjete të forta me datë 29 Maj 2023.