Arrestohet gruaja që dyshohet se e rrahu për vdekje 67-vjeçaren në Dragash
Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se ka arrestuar një të dyshuar për vdekjen e 67-vjeçares në fshatin Kuk të Dragashit.
67-vjeçarja, e cila u gjet e vdekur në fshatin Kuk të Dragashit në mëngjesin e së hënës, dyshohet se ka qenë edhe më parë viktimë e dhunës në familje.
“Prizren, 27 dhjetor 2022- Prokuroria Themelore në Prizren, njofton opinionin publik se lidhur me rastin e vdekjes së viktimës S.D., në fshatin Kuk – Komuna e Dragashit, pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore dhe ekzaminimeve mjeko-ligjore të viktimës, kemi arritur të sigurojmë prova materiale relevante lidhur me rastin, që vërtetojnë dyshimin e bazuar se e dyshuara N.A., e ka goditur disa herë më mjete të forta viktimën në pjesë të ndryshme të trupit, ku si pasojë ka ardhur deri te vdekja e viktimës. Në rastin konkret e njëjta, dyshohet për veprën penale “Vrasje e rëndë” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Me urdhër të prokurorit e njëjta është ndaluar për 48 orë. Për veprimet tjera hetimore, prokuroria do t’ju mbajë të informuar”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.