Arrestohen tre persona pas operacionit antidrogë të policisë
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë e Policisë së Kosovës ka arrestuar tre persona të dyshuar.
Sipas policisë gjatë realizimit të planit taktik antidroga e mbështetur edhe nga njësitet për reagim të shpejtë tek personat e dyshuar dhe gjatë kontrollit në trup dhe në lokacionet e tyre ka gjetur sasi të substancave narkotike me peshë rreth 370 gram, një peshore, tri thika dhe para të gatshme 4 mijë e 870 euro.
“Lidhur me përfshirjen e zyrtarit policor në këtë rast menjëherë është njoftuar Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), për procedura të mëtejme. Në konsultim me Prokurorin nga Departamenti i Krimeve të Rënda është iniciuar rasti dhe tre personat e dyshuar dërgohen në qendrën e mbajtjes për proceduar të mëtejme ligjore”, thuhet në njoftim.
Sipas policisë rasti mbetet të hetohet nga antidroga e Policisë së Kosovës (PK), Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda në Prishtinë.
“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar për luftimin e të gjitha veprave penale dhe arrestimin dhe sjelljen para organeve të drejtësisë të të gjithë personave të dyshuar, pavarësisht rolit dhe funksionit që kanë”, thuhet në njoftim.