Policia e Kosovës, pikërisht Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda pas zhvillimit të veprimeve hetimore, sipas autorizimit nga Prokuroria Themelore në Prizren, sot organizoi një operacion policor për arrestimin e dy personave të dyshuar lidhur me veprën penale ‘Fajde’ nga neni 331 i KPK-së.
“Të dyshuarit me veprimet e tyre në vazhdimësi kanë detyruar viktimën të paguajë shuma të ndryshme të parave si interes për fajde, si dhe në emër të kamatave të fajdesë përmes formave të ndryshme të presionit, kanë kërkuar nga viktima marrjen e shtëpisë dhe dy lokaleve të tij në Prizren, vlera e te cilave është rreth 1 milion euro.
Me urdhëresë nga gjykata është kontrolluar vendbanimi i dy të dyshuarve, me ç ’rast janë gjetur dhe sekuestruar dëshmi materiale të cilat do të përdoren në procedurën penale ndaj te dyshuarve.
Ndaj dy të dyshuarve E.K., dhe A.K., Prokurori i Shtetit - PTH-Prizren ka lëshuar aktvendim për ndalim”, thuhet në komunikatën e përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Themelore në Prizren.