Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Ilir Murtezaj, ka folur sot rreth arrestimit të 12 zyrtarëve të këtij institucioni në Prizren dhe Podujevë nën dyshimin se kanë kryer veprat penale “Mashtrimi në detyrë”, “Dokumente të rrejshme lidhur me tatimin” dhe “Shmangie nga tatimi”.
Murtezaj në një konferencë për media ka thënë se vetë ATK-ja ka iniciuar këtë rast në Prokurori.
Sipas tij, si rezultat i veprimeve me kohë është arritur të parandalohet dëmtimi i buxhetit të shtetit në vlerë 2.7 milionë euro.
I pari i ATK-së theksoi se i mbetet Prokurorisë të bëjë hetimin dhe verifikimin e zyrtarëve të përfshirë në këtë proces.
“Për të parandaluar involvimin e stafit tonë në veprat e tilla, të cilat përveç se mund ta dëmtojnë integritetin institucional, mund ta dëmtojnë edhe buxhetin e shtetit”, theksoi Murtezaj.
I pyetur nëse ka biznese tjera të dyshuara, Murtezaj tha se në bazë të kompetencave ATK sa herë që atakohet në raste të tilla, atëherë ato raste do të iniciohen në organet përkatëse.
Ata janë arrestuar nën dyshimin se kanë kryer veprat penale “Mashtrimi në detyrë”, “Dokumente të rrejshme lidhur me tatimin” dhe “Shmangie nga tatimi”.
Personat me inicialet M.Z., N.B., S.T., A.J., M.R., M.Z., M.B., G.Gj., A.P., V.K., A.R., Xh.H., zyrtarë të ATK-së, dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Mashtrimi në detyrë”, ashtu që të dyshuarit F.P., pronar i tri bizneseve në Prizren ia kanë njohur si të rregullta 23 fatura fiktive me vlerë prej 18 milionë euro, kinse për ndërtimin e një hoteli i cili veç ka qenë i ndërtuar më parë, e të cilat fatura i kishte pranuar nga të pandehurit B.B. dhe B.B (të cilët janë në kërkim) pronarë të një biznesi në Podujevë, e që dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale “Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin” dhe “Shmangie nga tatimi”.
Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e të dyshuarve në kohëzgjatje prej 48 orësh, si dhe për të njëjtit do t’i ndërmerre veprimet e mëtejme ligjore.
Arrestohen 12 zyrtarë të ATK-së dhe një pronar biznesi • KosovaPress