KMDLNJ ka reaguar pas arrestimit të Blerim Ramadanit, ish-pjesëtar i UÇK-së nga autoritetet maqedonase, me urdhërarrest të Serbisë, duke thënë se shpeshtimi i rasteve të arrestimit po bëhet si hakmarrje nga Beogradi zyrtar për arrestimin e serbëve të dyshuar për krime lufte në Kosovë.
Në një reagim për media, KMDLNJ kërkon nga institucionet shtetërore të Kosovës të angazhohen maksimalisht për të siguruar mbrojtje ligjore për të arrestuarit sikur edhe përkrahje të plotë për familjarët e të arrestuarve.
“Arrestimi i djeshëm i Blerim Ramadanit në Maqedoni të Veriut nuk ishte rasti i parë dhe, deri më tani asnjë shqiptar i arrestuar nuk është ekstraduar në Serbi sikur që as Ramadani nuk do të ekstradohet”, thuhet në reagim.
Më herët kishin qarkulluar në opinion disa lista me ish-ushtarë të UÇK-së dhe KMDLNJ kishte këshilluar të shmanget udhëtimi nëpër territorin e Serbisë.
Për më tepër KMDLNJ thotë se këto janë vendime me qëllime politike e të cilat synojnë trysni mbi palën kosovare për lirimin e serbëve të arrestuar për krime lufte në Kosovë.
“Shteti i Kosovës duhet të angazhohet maksimalisht për të siguruar mbrojtje ligjore për të arrestuarit sikur edhe përkrahje të plotë për familjarët e të arrestuarve”, ka përfunduar KMDLNJ.