Çmimet e naftës shënuan një rritje të lehtë të dielën, teksa përplasjet mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit hynë në ditën e katërt radhazi, shrkuan CNN, transmeton KosovaPress.
Situata mbetet e tensionuar, ndërsa Irani vazhdon të këmbëngulë për kontrollin mbi Ngushticën e Hormuzit.
Të premten, çmimet kishin rënë në nivelet më të ulëta që nga fillimi i konfliktit, me Brent që mbylli tregtimin rreth 72 dollarëve dhe WTI rreth 69 dollarëve për fuçi.
Gjatë javës së kaluar, çmimet e naftës ranë për shkak të shpresave se armëpushimi 60-ditor do të rikthente qarkullimin normal të naftës përmes Ngushticës së Hormuzit, rrugë nga e cila kalon rreth 20 për qind e furnizimit botëror me naftë.Megjithatë, kjo tendencë u ngadalësua pasi Irani goditi një anije në ngushticë të enjten. Si pasojë, edhe Kombet e Bashkuara pezulluan planet për evakuimin e detarëve dhe anijeve të bllokuara në zonë.
Që nga ajo kohë, forcat amerikane dhe ato iraniane kanë shkëmbyer sulme, duke bërë që disa anije cisternë të zgjedhin një itinerar alternativ pranë brigjeve të Omanit për të shmangur rrezikun.
Kjo ka ndikuar në uljen e kostove për konsumatorët amerikanë, ku çmimi mesatar i një galoni karburant ra në 3.87 dollarë, rreth 13 për qind më pak krahasuar me një muaj më parë.