Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi akuzon kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin për përçarje të spektrit politik në Luginën e Preshevës. Ai i quan servilë të shefit të ekzekutivit, Ardita Sinanin e Shaip Kamberin, teksa shton se i njëjti po tenton të sundojë në këto komuna. Madje, Arifi thotë janë tradhtuar në dialog, meqë marrëveshja e Ohrit nuk parasheh reciprocitetin me Serbinë. Në intervistën për KosovaPress flet edhe për tre milionët e ndarë nga qeveria, agresionin në Banjskë të Zveçanit e qasjen e Serbisë ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi thotë se në asnjë nga takimet që kryeministri Albin Kurti ka mbajtur me përfaqësuesit e luginës, ai nuk ka qenë i ftuar.
Kritik shprehet edhe për shumën prej tre milionë eurove, të cilat janë paraparë për Luginën e Preshevës. Madje, thotë se edhe në buxhetin e vitit të kaluar ka ndodhur skandal korruptiv.
Arifi thotë se qeverisja e Ardita Sinanit u ka trashëguar disa problematika, të cilat kanë qenë edhe ligjore e më pas janë ballafaquar edhe në gjykata.
Kreu i Preshevës shprehet se pasivizimi i adresave ka vazhduar edhe gjatë vitit 2023, ku shqiptarët janë të privuar nga prona dhe të drejtat civile të tyre. Adresimi i këtyre diskriminimeve, sipas tij, po mungon nga Prishtina e Tirana zyrtare.
Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi kërkon reciprocitet në marrëveshjen me Serbinë, për çka konsideron se me marrëveshjen e Ohrit është shkelur një gjë e tillë.
Ai flet edhe për ikjet e të rinjve të Luginës, teksa krenohet se 400 deri në 500 të rinj kanë arritur t’i punësojnë brenda vitit. /Sh.Pajaziti