Departamenti për Çështje Administrative i Gjykatës së Apelit të Kosovës, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës dhe vlerësimit të pretendimeve ankimore, ka konstatuar se duhet që të refuzohet si e pabazuar ankesa e të paditurës-kundër propozueses Zyra e Rregullatorit për Energji, e datës 26.04.2022, ndërsa Aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë - Departamenti për Çështje Administrative A.nr.656/22, i datës 08.04.2022, të vërtetohet.
“Gjykata e Apelit ka gjetur se gjykata e shkallës së parë në mënyrë të drejtë ka vërtetuar gjendjen faktike dhe drejt ka zbatuar dispozitat procedurale dhe materiale me rastin e aprovimit të kërkesës së paditësit, me të cilën ka kërkuar shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të paditurës ZRRE-së“, thuhet në vendimin e publikuar nga Gjykata e Apelit.
Tarifat e reja të cilat kanë hyrë në fuqi më 9 shkurt, kishin hapur debat për menaxhimin e sektorit energjetik në Kosovës, duke pasuar edhe me krijimin e dy komisioneve hetimore për energjinë. Njëri i propozuar nga pozita e që do të këtë qëllimin e hetimit për energjinë nga viti 2006, dhe tjetri i opozitës do të hetojë menaxhimin e situatës energjetike.
Sipas ZRRE-së, rritja e çmimit ishte bërë për konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovat për orë brenda muajit, 12.5 centë për tarifën e lartë dhe 5.9 centë për tarifën e ulët.