Ylli i Manchester United, Antony është parë duke shkuar drejt stacionit të policisë, për tu marrë në pyetje lidhur me akuzat për abuzim në familje.
Antony u lejua të largohet nga United në fillim të këtij muaji, pasi ish-dashnorja e tij, Gabriella Cavallin pretendoi se e ai kishte sulmuar atë më 15 janar në një hotel në Manchester, raporton KosovaPress.
Fotot janë shfaqur të enjten që tregojnë Antonyn në sediljen e pasagjerit të një automjeti, ku “Sun” bën të ditur se ai ishte rrugës për të folur me policinë në lidhje me pretendimet e Cavallin.
Thuhet se Antony, i cili ka vazhduar të këmbëngulë se nuk ka bërë asgjë të keqe, kontaktoi Policinë e Manchesterit të Madh (GMP) dhe doli vullnetarisht t'i takonte për t'u marrë në pyetje, pasi foli edhe me policinë gjatë kohës së tij në Brazil.
Antony, i cili iu bashkua United për 85 milionë funte në verën e vitit 2022, u akuzua se goditi me kokë dhe grushtoi Cavallin. Dyshohet se ai i kishte dëmtuar asaj një implant të gjirit gjatë atij incidenti.