Një anije ruse ngarkesash e quajtur Ursa Major u mbyt në Detin Mesdhe, pasi një shpërthim përfshiu dhomën e motorit, dhe dy anëtarë të ekuipazhit janë ende të zhdukur, njoftoi të martën Ministria e Jashtme e Rusisë.
Anija, e ndërtuar në vitin 2009, ishte nën kontrollin e Oboronlogistika, një kompani pjesë e operacioneve të ndërtimit ushtarak të Ministrisë Ruse të Mbrojtjes, e cila kishte njoftuar më parë se anija ishte në rrugë për në portin e Vladivostokut në Lindjen e Largët Ruse.
Ambasada e Rusisë në Spanjë, e cituar nga agjencia shtetërore ruse RIA, tha se po hetonte rrethanat e mbytjes dhe ishte në kontakt me autoritetet spanjolle.
Kompania që operonte anijen nuk ka pranuar të komentojë rastin, raporton Reuters.Disa pamje të paverifikuara që dyshohet të jenë të momentit të fundosjes së anijes qarkulluan në rrjete sociale.
Shërbimi Spanjoll i Shpëtimit Detar tha se kishte marrë një sinjal emergjence nga Ursa Major të hënën, kur ajo ndodhej rreth 57 milje larg bregut të Almerias.
Më vonë, një anije luftarake ruse kishte mbërritur në vendngjarje dhe kishte marrë përgjegjësinë për operacionet e shpëtimit./Rel