Kryetari i Komisionit të Mediave të Pavarura, Jeton Mehmeti ka deklaruar se javën e kaluar kanë pranuar një letër shqetësuese nga Premier Liga, duke krijuar paqartësi për të drejtat e transmetimit të Premier Ligës në territorin e Kosovës.
Mehmeti gjatë raportimit në Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, tha se në letrën e dërguar nga Premeri Liga thuhet se tre operatore të licencuar nga KPM-ja, po transmetojnë pa të drejtë. Ai shtoi se menjëherë pas pranimit të letrës nga Premier Liga, kanë kërkuar dëshmi nga operatorët për të parë kontratat e Arenës me Premier Ligën. Mehmeti tha se në dokumentet të cilat i kanë analizuar, thuhet se Arena ka të drejtë të transmetojë dhe të shesë kanalet tek operatorët e tjerë. Ai shtoi se do të vazhdojnë të hulumtojnë këtë marrëdhënie të transmetimeve në mes Arenës dhe Premier Ligës.
Kryetari i komisionit për Media, Valon Ramadani u tha anëtarëve të KPM-së, se pret që të ndërmarrin hapa tutje në lidhje këtë çështje.
Edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Besim Muzaqi shtoi se KPM-ja për këtë çështje është dashur të kërkojë sqarime shtesë nga Premier Liga dhe të marrë vendim.