Analiza e raporteve mes dy kryeministrave Kurti-Rama, vazhdojnë mostakimet
Lexohet për: 4 min.
kurti-rama
6 muaj më parë
Linku u kopjua

Raportet mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama duket se nuk kanë lëvizur pozitivisht, pasi as sot ata nuk janë takuar në Prishtinë.

Rama po qëndron në Kosovë me ftesë të presidentes Vjosa Osmani, të cilët edhe patën një takim, por pa deklarata për media.

E derisa pasdite është paraparë të takohet me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama me ç’rast iu është dhënë “Çelësi i qytetit”, Rama ka marrë pjesë edhe në konferencën e ndërkombëtare të Lidhjes Demokratike e Kosovës dhe Fondacioni “Ibrahim Rugova”, me temë “Rugova dhe Perëndimi”, në 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës.

Nga aty Rama e ka këshilluar homologun e tij Kurtin që t’i ruaj miqtë pas përkeqësimit të raporteve të Kurtit me ShBA-në.

“Ne jemi në një proces ku thellohet gjithnjë e më shumë dhe në një formë gjithmonë e më shqetësuese, qasja ndaj politikës së jashtme, si politikë e brendshme dhe shfrytëzimi i platformave të komunikimit jashtë si tribuna për të marrë vota këtu. Kjo, patjetër që mund të ketë sukses elektoral, po kjo e lë Kosovën me gjithmonë e më pak besim nga ana e miqve dhe aleatëve të vet ndërkombëtar dhe në këndvështrimin tim, – meqë jemi sot për Ibrahim Rugovën, – nëse Kosova do të dilte nga kjo lojë “macja me miun” në tryezë me Serbinë dhe me një ekip uniteti do t’i drejtohej Bashkimit Evropian duke thënë “ne nuk duam të flasim më me Serbinë se nuk kemi më çfarë flasim, ne jemi këtu për të folur me Bashkimin Europian, për të përmbushur të gjitha detyrimet që kemi ne si Republikë e Kosovës në kontekstin e standardeve ndërkombëtare dhe të standardeve të Bashkimit Evropian dhe për t’u afruar me ju. Pastaj, se çfarë bën Serbia është puna e Serbisë, shkoni e merruni me Serbinë”, tha ai.

Ndërkaq, në një intervistë për mediat e Shqipërisë, gjatë javës së kaluar Kuti ka përmendur se punët e kryera dhe rezultatet e arritura ndërmjet Kosovës e Shqipërisë për tri vite janë më të mira se të gjitha qeveritë e mëhershme.

Ai ka numëruar mbledhjet e qeverive dhe marrëveshjet që kanë arritur me Shqipërinë, etj.

Në raste përvjetorësh si dita e çlirimit, njohësit nga Kosova e Shqipëria vlerësojnë se një takim mes dy kryeministrave do të duhej të ndodhte.

Arbnor Sadiku, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare tha se nuk është gjë e rëndomtë kur kryeministri i Shqipërisë e viziton Kosovën dhe mos të ketë takim me Kurtin.

Derisa Sadiku komenton edhe ftesat e institucioneve për raste të tilla.

Ndërkaq, analisti shqiptar Ben Andoni tha se dy kryeministrat do të duhej të bënin çmos të takoheshin mes vete.

Por sipas tij edhe Kurti edhe Rama po i shmangin këto mundësi për të treguar protagonizmin në botën shqiptare.

Mospajtimet mes Kurtit dhe Ramës kulmuan në korrik të vitit të kaluar, kur Rama qëndroi në vizitë në Prishtinë dhe kryeministri kosovar kishte refuzuar ta takonte.

Derisa edhe kryeministri Rama mbledhjen e qeverive të të dyja shteteve e kishte refuzuar me formatin e zakonshëm dhe kishte kërkuar ndërrimin e tij për shkak të tensioneve në veri të Kosovës.

Së fundi në muajin maj gjatë Samitit të Liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe atyre të BE-së në Kotor të Malit të Zi ishte shpërndarë një video ku Kurti pas arritjes në samit ishte përshëndetur me ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, kryeministrin Rama dhe të dërguarin e Francës për Ballkanin Perëndimor, Rene Troccaz.

Por ndryshe nga zyrtari i lartë amerikan, Rama nuk ishte ngritur në këmbë për të përshëndetur Kurtin.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024