AMIK shpërndan 111 bursa për studentët e vendit
Lajme
Lexohet për: 3 min.
AMIK shpërndanë 111 bursa për studentët e vendit
13 orë më parë
Linku u kopjua

Asociacioni i Institucioneve Mikrofinanciare të Kosovës (AMIK), ka shpërndarë 111 bursa për studentët për vitin 2024/2025 ne shumë mbi 117 mijë euro.

Nga këto bursa të ndara kanë përfituar 78 vajza e 33 djem, kjo ishte bërë në bashkëpunim me Bankën Qendrore të Kosovës.

Zëvendës guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Milot Cakaj tha se BQK beson që duke investuar në arsim po ndërtohet një e ardhme më e ndritshme dhe më e barabarte për studentët e vendit.

“Festojmë arritjet e jashtëzakonshme të individëve që përfaqësojnë të ardhmen tonë. Përgjegjësia juaj shkon përtej ofrimit të shërbimeve financiare. Çmimet e sotme të bursave janë një dëshmi e këtij angazhimi janë me shume se ndihmë financiare. Ne si BQK, besojmë fuqimisht se duke investuar në arsim po ndërtohet një e ardhme me e ndritshme dhe më e barabartë. Këto bursa trajtojnë pabarazitë sistematike duke ofruar akces në arsim”, tha Cakaj.

Ndërsa, kryetari i bordit të AMIK, Shpend Nura theksoi se si bordi i AMIK, ka vendosur për shpërndarjen e këtyre bursave para dy viteve.

“ AMIK-u është përmbledhje e 8 institucioneve mikrofinanciare të cilët sot i shërbejnë një numri afër 120 mijë klientëve anë e mbanë botës. Bordi i AMIK-ut ka vendosur para dy viteve për të ndarë një fondacion i cili urojmë që të jetë afatgjatë edhe me u mundësuar studentëve që kjo pjesë financiare të jetë sa më e lehtë për me i dalë në krye studimeve të tyre”, theksoi Nura.

E Drejtori ekzekutiv i AMIK, Shpresim Vranovci shpreh se secila prej bursave ka role të ndryshme, në edukim, trajnime, mundësi e sidomos mundësi për grupet e margjinalizuara.

“Gjithçka që ka të bëjë me institucione mikrofinanciare, AMIK ka dashur që ky sektor gjithmonë të jetë aktiv. Ne vazhdojmë me luajt këtë rol në mënyrë shumë aktive. Kjo qasje është jetike për zhvillimin ekonomik. Ne muajin e kaluar në statistikat e fundit 311 milionë euro kredi, ku 130 mijë klientë mbarë Kosovën kanë pasur qasje në këto financa. Secila prej bursave ka role të ndryshme sa i përket edukimit, trajnimeve, mundësisë sidomos të grupeve të margjinalizuara”, u shpreh Vranovci.

E për fund, anëtarja e komitetit të përzgjedhjes së bursave, Burbuqe Grajqevci tregoi se cilat kanë qenë kriteret për përzgjedhjen e studentëve për përfitimin e bursave.

“Kemi pasur të vështirë të zgjedhim në mesin e këtyre studentëve kaq të mirë, por kemi pasur disa kritere, socioekonomike, arritjet akademike dhe pjesëmarrja e studentëve në aktivitete të ndryshme. Kjo burse është vetëm një njohje për arritjet e juaja për të kaluarën, presim prej juve për me i shërbyer në të ardhmen në Kosovë”, shtoi Grajqevci.

Ky është viti i dyte që AMIK shpërndanë bursa për studentët e universiteteve publike dhe private.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024