Ambasadorja e Kroacisë në Kosovë, Danijela Barishiq, ka shprehur mbështetjen për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe anëtarësimin në NATO.
Pas takimit që pati me Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë në Kuvend, ajo tha se raportet mes Kosovës dhe Kroacisë janë të shkëlqyeshme, derisa përgëzoi Kosovën për rreshtimin, siç tha në anën e duhur të historisë, pas agresionit rus në Ukrainë.
Nga ana tjetër, kryetari i komisionit, Haki Abazi, tha se gjatë diskutimit me ambasadoren kroate folën për çështje të sigurisë dhe mbrojtjes në rajonin ballkanik, pas luftës në Ukrainë.
“Bashkëbiseduam për tema të ndryshme, kryesisht për bashkëpunimin bilateral ndërmjet Kroacisë dhe Kosovës. Në marrëdhëniet e shkëlqyeshme që kemi dhe mundësitë që këto të avancohen edhe më tutje. Natyrisht që në rrethanat e reja të krijuara pas luftës së paprovokuar në Ukrainë janë çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes së rajonit ato që dominojnë diskutimin edhe të politikës së jashtme... Natyrisht edhe tema e integrimit evropian dhe tema të politikës së jashtme. Përvoja e shtetit kroat në procesin e integrimeve evropiane ishte pjesë qendrore e diskutimit tonë të përbashkët”, theksoi Abazi.
“Tentuam të prekim çështjet edhe të bashkëpunimit ekonomik dhe pranisë së biznesit dhe kompanive kroate, po ashtu edhe mundësive që tregu kroat paraqet për prodhuesit dhe kompanitë kosovare”, shtoi ai.
Krahas kësaj, Abazi u shpreh falënderues edhe ndaj prezencës së ushtarëve korat në Kosovë, në kuadër të KFOR-it.