Ambasadori gjerman në Tiranë: Nuk ndërhyjmë në politikën shqiptare, duam opozitë të fortë
Lexohet për: 4 min.
gf3g32g
1 vit më parë
Linku u kopjua

Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Karl Bergner ka folur mbi ngjarjet e fundit në politikën shqiptare, ku prej javësh, seancat parlamentare kanë përfunduar në kaos për shkak të aksionit opozitar.

Ai në podkastin “Inside Albania” ka thënë se roli i partive dhe Parlamentit si kontrollues i Qeverisë është shumë i rëndësishëm.

“Duam të shohim një opozitë të fortë që mund ta luajë këtë rol dhe të jetë kundërpeshë për Qeverinë. Veçanërisht duhet një opozitë konstruktive, që mund të japë alternativa ndaj qëndrimeve të Qeverisë aty ku është e nevojshme, nëse ka probleme të tjera që duhen trajtuar në kuadër të qeverisjes. Pra, të luajë rol konstruktiv. Kjo është ajo që duam të shohim. Ne si Qeveri gjermane natyrisht nuk do të ndërhyjmë në politikën shqiptare. Ne përkrahim demokracinë dhe duam që qytetarët dhe politikanët shqiptarë të marrin përgjegjësinë. Do të ishte më mirë nëse opozita do të ishte e bashkuar dhe e fortë, që të ishte një kundërpeshë e vërtetë. Mendoj se kjo do të ishte mirë edhe për Qeverinë,” tha Bergner.

I pyetur për rëndësinë e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor por edhe të shteteve si Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia në BE, ambasadori sqaroi se kjo është një çështje që ka marrë vëmendje të shtuar për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.

“Mendojmë se në këtë moment të luftës me një shtet brenda në Evropë, është nevojë gjeostrategjike. Por kjo nuk është e vetmja arsye. Për Ballkanin Perëndimor, anëtarësimi është si kthimi në shtëpi i një rajoni që për Evropën është shumë i rëndësishëm. Është afatgjatë, sepse kërkon transformimin e të gjithë shoqërisë. Për shtetet kandidate që duan të hyjnë, nënkupton se duhet t’i përshtaten Aktit Komunitar, rregullave sipas të cilave funksionon BE-ja. Kjo përkthehet në shumë punë në aspektin ligjor, duhen përshtatur ligjet dhe duhet të ndodhë një transformim thelbësor i shoqërisë dhe sistemit politik”, tha ai.

Sa i takon afatit të dhënë nga presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor deri në 2030, diplomati gjerman ofroi një këndvështrim ndryshe.

“Do të citoja presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kur tha se nuk është e dobishme të vendoset një afat i përcaktuar si 2030. Nëse çdo gjë shkon siç duhet për Shqipërinë, procesi mund të përfundojë edhe më herët dhe kështu nuk ka përse të pritet 2030. Nëse kushtet nuk janë të duhurat dhe nuk janë përmbushur, 2030 do të ishte një premtim bosh, sepse pika vendimtare është që të plotësohen të gjitha kushtet e anëtarësimit. Kjo mund të ndodhë në 2030. Të shpresojmë për zhvillime të shpejta, por mund të ndodhë edhe më vonë. Kjo nuk është me kaq rëndësi sa pyetja si mund të vazhdojë ky proces”, tha ai.

Ambasadori Bergner gjithashtu shpjegoi arsyen përse u hartua i ashtuquajturi “plani franko-gjerman” dhe çfarë dobie ai ka për jetën e përditshme të qytetarëve evropianë.

“Jemi aktualisht 27 vende anëtare të BE-së. Me anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor, Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë, do të bëhemi 36 vende anëtare. Është e qartë se funksionimi dhe procesi i vendimmarrjes brenda BE-së duhet të ndryshojë. Disa njerëz shqetësohen se ne duam ta kushtëzojmë anëtarësimin nga reformat e brendshme. Të gjithë e dinë se kjo është e vështirë të bëhet, veçanërisht kur duhen ndryshime në traktat. Kemi pasur disa përvoja me Kushtetutën e BE-së që duhej rishikuar në fillim të viteve 2000, ndryshime të cilat u refuzuan me referendum nga Franca dhe Holanda. Ndaj jemi të kujdesshëm të mos shkojmë në atë drejtim, por e dimë se është e mundur të bëhen ndryshime të rëndësishme në rregullat aktuale të BE-së, që do ta lejojnë bllokun të marrë vendime pa pasur nevojën për ndryshime në traktat. Në këtë këndvështrim, është e nevojshme të nisim një diskutim brenda BE-së për këtë proces. Për këtë qëllim, Ministria e Jashtme hartoi një plan me një grup franko-gjerman, të cilët sollën një propozim praktik si mund të ndryshojë dhe të reformohet procesi i vendimmarrjes brenda BE-së. Këtu flitet për t’i hequr fuqinë një shteti anëtar që të bllokojë procesin duke ngritur çështjet dypalëshe në nivel evropian”. /EuronewsAlbania

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024