Ambasadori amerikan thotë se në Kosovë ka ende punë për të bërë
Lexohet për: 4 min.
Ambasadori Amerikan dhe Presidentja (21 of 23)
2 vite më parë
Linku u kopjua

Ambasadori i ri në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka thënë se në Kosovë ka ende punë për të bërë por sipas tij e ardhmja e shtetit është në duar të udhëheqësve të saj. Pasi ka dorëzuar letrat kredenciale të presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ambasadori Hovenier ka thënë se është nder i jetës së tij të shërbejë në Kosovë.

Adresimin për media e ka filluar në gjuhën shqipe, duke u shprehur i lumtur që ndodhet Kosovë, ambasadori amerikan tutje ka thënë se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë partnerë të qëndrueshëm të Republikës së Kosovës.

“Natyrisht ka ende punë për të bërë, siç ka në çdo vend dhe unë jam krenar dhe i përulur dhe në një mënyrë i ngazëllyer prej mundësisë që të marrë pjesë në këtë proces që të punojmë bashkë, si përfaqësues i presidentit Biden. E ardhmja e Kosovës varet nga prijësit e saj, besoj që Qeveria e Kosovës dhe populli i Kosovës janë në duar shumë të mira, Shtetet e Bashkuara janë partnere e qëndrueshme e Kosovës dhe do të vazhdojnë ta bëjnë këtë dhe përkushtimi që do të bëjë është edhe ai i Ambasadës Amerikane se para se gjithash jemi miqtë tuaj, jemi në anën tuaj, do të punojmë me ju, me qeverinë, popullin e shoqërinë civile për të avancuar prioritetet tona të përbashkëta, ashtu siç presidentja Osmani bëri zotime në Samitin për Demokraci që kanë të bëjnë me zhvillimin e institucioneve të pavarura, gjyqësorit, sundimit të ligjit, që janë shumë të rëndësishme dhe përpjekjet tona të vazhdueshëm për të luftuar korrupsionin dhe për të ndarë drejtësi për të gjithë qytetarët e Kosovës, drejtësi të barabartë”, ka thënë ambasadori amerikan.

E presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se Kosova është e bekuar që ka Shtetet e Bashkuara të Amerikës pranë në çdo hap të rrugëtimit të shtetit.

“Kosova sot është shumë ndryshe nga Kosova të cilën e kujton ambasadori Hovenier sepse ka ecur përpara mirëpo një gjë ka qëndruar konsistente gjatë gjithë kësaj kohe, kjo është marrëdhënia e partneriteti e miqësia jonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne jemi rritur dhe zhvilluar si vend, si dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë sepse jemi të bekuar të kemi Shtetet e Bashkuara të Amerikës pranë nesh në çdo hap të rrugëtimit tonë. Roli i ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë është thelbësor për të garantuar që marrëdhënia jonë do të vazhdojë të lulëzojë”, ka thënë Osmani.

Osmani ka shtuar se Kosova beson dhe promovon vlerat të cilat i përfaqësojnë Shtet e Bashkuara të Amerikës.

“Kam kënaqësinë e veçantë të hap këtë kapitull të ri të bashkëpunimit dhe partneritetit me ambasadorin Hovenier. Në këtë kapitull të ri të bashkëpunimit shpresoj të forcojmë edhe më tej mardhëniet tona dy palëshe por edhe të shtyjmë përpara në rajon e në rrafshin ndërkombëtar idealet dhe vlerat demokratike në të cilat ne besojmë bashkërisht. Besoj fuqishëm që pavarësisht sa i madh apo i vogël mund të jetë një shtet, ne të gjithë mund të japim një kontribut të rëndësishëm për paqen dhe sigurinë në rajonin tonë dhe në mbarë botën”, ka thënë Osmani.

Kjo është dita e parë e punës së Hovenier si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Kosovë.

Ai është emëruar në këtë post nga presidenti amerikan Joe Biden në korrik të vitit 2021.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024