Kryetari i ri i Bashkisë së Kukësit do të jetë Albert Halilaj. Numërimi i të gjitha kutive të votimit nxori fitues kandidatin socialist kundrejt kundërshtarit të koalicionit "Bashkë Fitojmë", Emri Vata, me një diferencë prej 5 mijë votash.
Socialistët kanë nisur festën në Kukës teksa mbajnë në duar flamurin e Shqipërisë së Madhe.
“Qeveria Rama do të jetë prezente në çdo skaj të Kukësit për të përmirësuar çdo problem në lidhje me infrastrukturën. Kam një sërë projektesh për t’i ardhur në ndihmë Kukësit në lidhje me papunësinë, për të zhvilluar turizmin, për t’i dhënë një promovim tjetër Kukësit të lënë pas dore,” theksoi Halilaj në një komunikim për mediet, duke theksuar se do të qëndrojë në krah të çdo banori pavarësisht bindjeve të tyre.
RTSH raportoi se pas përfundimit të numërimit të fletës së fundit të votimit, Albert Halilaj ka dhënë një mesazh të qartë për qytetarët e Kukësit, duke premtuar angazhimin e tij maksimal për të çuar përpara projektet.
Zgjedhjet për kryetar të Bashkisë së Kukësit u zhvilluan ditën e djeshme, votimi i të cilave u mbyll në orën 19:00.
Zgjedhjet u mbajtën pas dorëheqjes së Safet Gjicit më 16 qershor nga posti i kryebashkiakut pas qarkullimit në rrjetet sociale të një videoje intime në zyrën e tij. Ish-kryebashkiaku u arrestua më 24 qershor më urdhër të SPAK-ut.