Gjatë shqyrtimit të kërkesës për shkarkimin e Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), deputeti i Vetëvendosjes Armend Muja me ton të lartë ka qortuar kryesuesen e Bordit të KPMM-së, Selevete Grajqevci – Pllana për faljen siç thotë ai të rentës minerare në vlerë prej mbi 9 milionë euro kompanisë “Ferronikel”.
Gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi, kryesuesja Grajqevci – Pllana është përgjigjur ndaj deputetit Mujës duke thënë se veprimet e Bordit kanë qenë mbi bazën ligjore.Fillimisht anëtari i Komisionit, Armend Muja ka thënë se një prej arsyeve pse është iniciuar shkarkimi i Bordit të KPMM-së, është falja e borxhit të rentës minerare për kompaninë “Ferronikel” me pronar Samir Mane nga Shqipëria.
Deputeti Muja që ishte më i zëshmi në këtë Komision, ka pyetur kryesuesen e Bordit, Grajqevci – Pllana, se çfarë baze ka pasur falja e rentës në vlerë mbi 9 milionë euro.
Për këtë, Grajqevci – Pllana ka thënë se veprimi saj gjatë votimit në Bord ka qenë mbi rekomandimin e Komisionit shqyrtues të ankesave.
“Ne nuk kemi konsideruar borxh këtë, për arsye se ata (Ferrnikeli) kanë raportuar, por tash pse është lejuar dhjet vjet me raportuar “Ferronikel” dhe askush nga KPMM-ja mos me i thënë që nuk je duke raportuar drejt, dhe në përputhje me Udhëzimin është dashur ti jepet një afat kohor në përputhje me nenin 9. Unë kam votuar pjesërisht, qysh ka thënë Komisioni shqyrtues i ankesave”, theksoi ajo.
Ndaj deputetit Muja ka reaguar deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, i cili theksoi se nuk guxon në këtë mënyrë me i trajtuar njerëzit të cilët i ka zgjedhur vetë VV në Kuvendin e Kosovës.
Por, anëtari i Bordit të KPMM-së, Gani Maliqi ka akuzuar deputetin Armend Muja se kërkesa e tij për shkarkimin e Bordit ka ndodhur për arsye që t’i çoj përpara agjendat e tij personale.
“Kanë menduar që ne jemi ata që japim dorëheqje, nuk japim dorëheqje, ju lutemi mos më pengoni, kur jam duke folur. Është kërkesa, sepse deputeti Armend Muja nuk është i interesuar me i çuar përpara agjendat e shtetit, por është për me i çuar përpara agjendat personale të veta... Gabimi im i vetëm është që unë i kam besuar qeverisjes me duar të pastra edhe pa korrupsion”, theksoi ai.
Në fillim të mbledhjes, kryetari i Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala ka njoftuar se anëtari i Bordit të KPMM-së, Jahir Gashi ka dhënë dorëheqje të enjten, ndërsa listën e rekomanduar për shkarkim janë: Selvete Grajqevci Pllana kryesuese e Bordit, Gani Maliqi, Gani Kastrati dhe Rozeta Pushkolli Makoll.