Prokuroria Themelore në Mitrovicë njofton se pas hetimeve të zhvilluara ka ngritur aktakuzë, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, kundër të pandehurit D.S., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprat penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen veprën penale dhe huliganizmi“ nga neni 404 par. 1, dhe “Sulmi“ nga neni 184 par. 3 nën par. 3.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Prokuroria njofton se i pandehuri, me datë 29 maj 2023 dhe me 31 maj të këtij viti, në Zveçan, me dashje, ka marrë pjesë në turmën e mbledhur të personave, të cilët me veprimet e tyre ka shkaktuar rrezik të përgjithshëm, ashtu që, derisa persona të maskuar ishin duke e sulmuar veturën e Policisë së Kosovës, i pandehuri së bashku me persona tjerë kanë sulmuar gazetarin e mediumit RTV-21 Burim Zariqi, policët e Kosovës, dhe gazetarët tjerë që ishin prezent.
Prokurori i Shtetit, në aktakuzë ka propozuar, që gjykata të pandehurin ta shpallë fajtor për veprat e kryera penale dhe ta dënojë sipas ligjit.