Aktakuzë ndaj tre personave, mashtronin për punësim në Irak, Afganistan dhe Poloni
Lexohet për: 4 min.
Prokuroria Themelore Ferizaj
3 muaj më parë
Linku u kopjua

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve N.L., K.H., dhe K.L., për shkak të dyshimit të bazuar  të veprave penale “Mashtrimi” në vazhdim dhe bashkëkryerje si dhe “Ndihma në kryerjen e veprës penale “Mashtrimi”.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar mirë se gjatë periudhës kohore 2020-2022, i pandehuri N.L., në vazhdim me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror përvete me anë të paraqitjes së rreme të fakteve i detyron të dëmtuarit të veprojnë në dëm të pasurisë së tyre, në atë mënyrë që u premton të njëjtëve se do të mund t’u sigurojë kontrata pune në bazat ushtarake amerikane në Irak, Afganistan dhe Poloni, ashtu që për sigurimin e këtyre kontratave të punës, u kërkon shuma të të hollave në vlera nga 3000 mijë deri në 6000 mijë euro.

Sipas një komunikate, të dëmtuarit ia dorëzojnë qoftë me para të gatshme apo përmes transfereve bankare dhe pavarësisht që të njëjtit presin me muaj të tërë, kontratat e punës, nuk arrin t’i sigurojë asnjëherë por gjithashtu nuk ua kthen të hollat.

“Dëmi total nga veprimet e të pandehurit arrin shumën rreth 80 mijë euro, me çka ka kryer veprën penale në vazhdim “Mashtrimi”. Po ashtu, sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit N.L, dhe K.H., në vazhdim dhe bashkëkryerje me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për vete, kanë mashtruar disa të dëmtuar në atë mënyrë që u premtojnë të njëjtëve se do të mund të sigurojnë kontrata pune në baza ushtarake amerikane në Irak, Afganistan dhe Poloni, duke i detyruar të dëmtuarit të veprojnë në dëm të pasurisë së tyre, ashtu që për sigurimin e këtyre kontratave të punës, u kërkojnë shuma të  të hollave në vlera nga 3000 mijë deri në 6000 mijë euro, ashtu që të dëmtuarit ua dorëzojnë qoftë me para të gatshme apo përmes transferve bankare, të cilat të holla pastaj i ndajnë së bashku dhe pavarësisht që të dëmtuarit presin me muaj të tërë, kontratat e punës nuk arrijnë të i sigurojnë asnjëherë, si dhe të hollat nuk ua kthejnë”, thuhet në komunikatë

Prokuroria thekson se ata kanë kryer veprën penale në vazhdim dhe në bashkëkryerje “Mashtrimi”.

“Ndërkaq, e pandehura K.L., në vazhdim, me dashje i ndihmon të pandehurit N.L., njëherësh bashkëshortit të saj për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi”, në atë mënyrë që deri sa ky i fundit nuk gjendej në Kosovë, e njëjta takohej me disa nga të dëmtuarit dhe nga të njëjtit pranon shuma të të hollave në vlera nga 3000 mijë deri në 6000 mijë euro, e pastaj këto shuma të të hollave ose i deponon në llogarinë bankare të të pandehurit N.L., ose ia transferon përmes “Ëestern Union”, me çka i ndihmon në vazhdim bashkëshortit të saj në përfitim të kundërligjshëm pasuror që kanë rrjedhur me kryerjen e veprës penale “Mashtrimi” nga neni 323 paragrafi 4 lidhur me nenin 33 dhe 77 të KPRK-së”, thuhet në komunikatë.

Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur të shpallen fajtor për veprat penale për të cilat akuzohen dhe të dënohen sipas ligjit.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024