Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK), sot ka informuar se ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër 13 të pandehurve me inicialet S.S., G.K., S.F., A.P., L.P., F.H., F.S., J.Gj., F.K., D.A., B.S., T.P dhe Rr.M.
Sipas prokurorisë, aktakuza është ngritur për veprat penale “Organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, “Shpëlarja e parave’’ dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’.
“Të pandehurit G.K, S.F, duke e ditur se pasuria e tyre buron nga aktivitetet kriminale të përshkruara në diapozitivin nën 1 dhe është e fituar me kryerjen e veprave penale, me qëllim të fshehjes së këtyre aktiviteteve dhe burimit të vërtet të pasurisë, parat e tilla i kanë futur në sistemin bankarë përmes deponimeve të të hollave të gatshme, pastaj e kanë kryer shtresimin – fshehjen e origjinës se tyre përmes transfereve bankare, me qëllim që në fund t`i integroj duke i konvertuar në asete të luajtshme dhe të paluajtshme. Me këto veprime të pandehurit e lartcekur kanë kryer veprën penale ‘’Shpëlarja e parave’’ nga neni 302 të KPRK lidhur me nenin 56 paragrafi 1 nënparagrafi 1.1. të Ligjit nr. 05/L-096 për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit.”, është bërë e ditur në komunikatë.
Ndërkaq, të pandehurit F.S., S.F dhe F.D., sipas prokurorisë, në lokalet e bastores online, në kundërshtim me Ligjin për armë nr. 05/L- 022, secili veç e veç, kanë mbajtur në pronësi dhe posedim armë, të cilat janë gjetur dhe konfiskuar me rastin e kontrollit nga ana e policisë.