Policia e Kosovës ka realizuar një operacion të gjerë policor në funksion të luftimit të veprimtarive të kundërligjshme që ndërlidhen me organizimin e skemave piramidale dhe lojërave të fatit-bixhozit të jashtëligjshëm në rajonin e Prishtinës. Sipas policisë, janë arrestuar 34 persona, të dyshuar për përfshirje direkte në këto aktivitete të paligjshme. Nga ta, 8 janë ndaluar me masë mbajtjeje prej 48 orësh, ndërsa 26 të tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.
Sipas njoftimit, operacioni është zhvilluar në vazhdimësi që nga data 25.04.2025, pas pranimit të informatave të besueshme për zhvillimin e aktiviteteve të tilla të kundërligjshme në disa lokacione të Rajonit të Prishtinës.
Po ashtu sipas policisë, janë iniciuar 25 raste penale, janë evidentuar shënime zyrtare dhe raporte operative që lidhen me vepra penale të ndryshme, si: organizim i lojërave të fatit, posedim i paautorizuar i substancave narkotike, armëmbajtje pa leje, kultivim, përpunim dhe shitje e substancave narkotike.
Përgjatë operacionit janë sekuestruar në cilësi të provave të rëndësishme edhe: 18 aparate për lojëra të fatit; 1 armë automatike AK-47, 1 armë e shkurtë, pajisje te laboratorit për kultivim, përpunim te substancave narkotike, para 5544.40 euro, 3 laptop, 2 printer për shtypje te tiketave, 3 aparate skenimi te tiketave, 16 telefona mobil të dyshuar se janë përdorur për pagesa online në bastore sportive.