Gjashtë persona janë dërguar për trajtim mjekësor si pasojë e një aksidenti trafiku që ka ndodhur në fshatin Rakinicë të Skenderajt.
Aksidentin e konfirmoi zëdhënësi i policisë rajonale Avni Zaiti.
Ndërsa, zëdhënësi i Spitalit të Përgjithshëm “Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë, Shpend Fazliu, tha se sipas vlerësimeve fillestare janë lëndime të lehta trupore.
“Rreth orës 15:45, në Shërbimin Emergjent të Spitalit të Përgjithshëm “Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë, ndihmë mjekësore kanë kërkuar 6 persona, si pasojë e aksidentit në trafik në një fshat të Skenderajt. Aktualisht, stafi po i kryen ekzaminimet e nevojshme dhe sipas vlerësimeve fillestare të lënduarit kanë lëndime të lehta trupore. Ekzaminimet Radiologjike janë duke vazhduar për të gjithë të lënduarit”, tha Fazliu.