Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore dhe administrative të nevojshme për të mbrojtur pronën e “Radio Televizioni i Prishtinës” (RTP), përfshirë procedurat administrative, civile dhe penale.
Në njoftim thuhet se për këtë rast është ngritur shqetësim dhe është përgatitur raport mbi tjetërsimin e pronës së RTP-së nga Komisioni Parlamentar për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim. AKP e vlerëson lart rolin dhe përkushtimin e Komisionit Parlamentar.Më tej thuhet se në përpjekjet për të verifikuar ligjshmërinë e procesit, AKP ka pranuar kopje të aktvendimit të Agjencisë Kadastrale të Kosovës në mars të vitit 2023, mbi të cilin është bërë ndërrimi i pronës, dhe ka vazhduar të ndërmarrë veprime ligjore për anulimin e kësaj bartjeje të cilën e konsiderojmë të kundërligjshme.
“AKP ka ndjekur të gjitha procedurat ligjore të nevojshme, duke përfshirë paditë dhe ankesat e paraqitura në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, si dhe kërkesën për masë të përkohshme sigurie më 17 mars 2023. Gjithashtu, agjencia ka përgatitur parashtresa shtesë bazuar në prova të reja që kanë dalë gjatë procesit”, thuhet në raport.Sipas njoftimit, Agjencia Kosovare e Privatizimit mbetet e vendosur të vazhdojë mbrojtjen e interesit publik dhe të sigurojë që pronat shoqërore të administrohen dhe mbrohen në përputhje të plotë me ligjin.
“Përkushtimi ynë do të vijojë deri në zgjidhjen e plotë të këtij rasti”, thuhet në njoftim.