Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) po mban takimin me drejtorët komunalë të arsimit, për të diskutuar për situatën me pandeminë në shkolla. Numri i madh i mësimdhënësve të infektuar dhe zëvendësimi tyre, është një nga sfidat në nivel vendi.
Kryetari i AKK-së, Sazan Ibrahimi tha se situata është duke u përkeqësuar.
Drejtori i Arsimit në Fushë Kosovë, Samir Shahini tha se tri shkolla në këtë komunë kanë kaluar në mësim ‘online’.
Përveç kësaj sfide, ai u shpreh se kanë një numër të madh të mësimdhënësve të cilët janë jashtë listës së pagave.
Drejtoresha e Arsimit në komunën e Vitisë, Fatbardha Emini u shpreh se deri më tani janë testuar mbi 1500 nxënës.
Sipas saj, më mirë do të ishte të zëvendësohet pushimi pranveror.
Edhe drejtori i Arsimit në Ferizaj, Afrim Llabjani tha se në këtë komunë çdo ditë e më shumë po përkeqësohet situata me pandeminë.
"Momentalisht 98 mësimdhënës i kemi të infektuar, 437 nxënës, 11 personel tjetër dhe për momentin 9 shkolla i kemi në mësim ‘online’. Dilemat janë se a të kalojmë në mësim ‘online’ dhe është një situatë se duhet të dimë në fund se çfarë do të bëjmë. Në Ferizaj çdo ditë me keq po shkojmë, ta shohim sot dhe nesër si po veprojmë", tha ai.