Ajeti përfundon dëshminë në Hagë, thotë se nuk ka parë persona të ndaluar apo roje në Zllash
Lexohet për: 5 min.
ajeti-220422
2 vite më parë
Linku u kopjua

Dëshmitari i 13 i mbrojtjes së Salih Mustafës, Muhamet Ajeti ka deklaruar para trupit gjykues që në Zllash nuk ka pasur kompleks ndalimi. Ai ka thënë se asnjëherë nuk ka parë apo dëgjuar për njerëz që mbahen në objektet në Zllash. Derisa ka shtuar se në Zllash ka qëndruar fillimisht një javë në dhjetorin e vitit 1998, pastaj në muajin prill një vit më vonë deri në ofensivën në Viti të Marecit. Ndërsa, sipas tij, Salih Mustafën nuk e ka takuar në Zllash gjatë kësaj periudhe.

Në pjesën e fundit të seancës në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, dëshmitari është përgjigjur në pyetjet e prokurorit Cezary Mihailzcuk, i cili ka nxjerrë një pjesë të intervistës që Salih Mustafa i kishte dhënë ZPS-së.

Prokurori Mihailzcuk: Pra po na thoni që në kompleks nuk kishte ndonjë vend ndalimi me sa ti di, kështu? Por, megjithatë vet Salih Mustafa në deklaratën që i ka dhënë ZPS-së e ka pranuar se kishte të ndaluar pikërisht në atë vend. Pyetja që i është bërë Salih Mustafës ‘Ju thatë që kjo shtëpi është përdorur edhe si qendër ndalimi?’. Salih Mustafa përgjigje, ‘Nga ato që di unë vetëm një dhomë, kishte ushtarë që i shkelnin rregullat’. Pyetje, ‘Mbaheshin poshtë në katin e parë?’ Përgjigje ‘Po në katin përdhese. Kishte tre dhoma, ishte një dhomë e madhe që përdorej edhe si kuzhinë’. Kurse në faqen tjetër, në faqen shtatë, pyetje ‘Keni parë ju me sytë tuaj që të ndaloheshin ushtarët në atë vend’. Përgjigja e Salih Mustafës ‘Po’. Pyetje ‘Në sa raste ju kujtohet keni parë ushtarë apo persona në atë vend, të ndaluar?’. Përgjigja ‘Do të thoja dy apo tre’. ‘Dy apo tre raste?’. ‘Po besoj që po’.   Zotëri Ajeti a pajtohesh me mua që Salih Mustafa, komandant i BIA-s do ta kishte ditur më mirë se ti nëse kishte apo jo të ndaluar aty?

Dëshmitari Ajeti: Për periudhën në të cilën kam qëndruar aty një javë në dhjetor të ’98-ës nuk kam parë. Edhe këtë kohën që kam ardhur nga marsi, unë këtu nuk kam parë, nëse ka folur për ndonjë periudhë tjetër Salih Mustafa, unë këtu nuk kam parë njerëz të ndaluar.

Gjatë dëshmisë së tij, Ajeti ka thënë se në shtëpinë në Zllash, nuk ka pasur roje.

“Unë nuk kam parë roje në periudhën sa kam qëndruar unë, këto sa janë java në dhjetor dhe në periudhën e prillit, nuk kam takuar”, ka thënë Ajeti.

Muhamet Ajeti, i cili ka deklaruar që ishte pjesë e Njësisë BIA, ndër të tjera është përgjigjur edhe për raportet e tij me Salih Mustafën.

“Me Salih Mustafën herë e fundit që jam taku pasi është arrestu është e kam bërë një vizë pune për Slloveni dhe ndoshta një ose dy ditë pa u nis për Slloveni, më 1 gusht 2020 jam nis, atë kam mundur ta takoj 28 korrik apo 29 korrik 2020. Është hera e parë që e kam taku dhe kam shkuar në Gjermani tani nga Sllovenia”, ka thënë ai.

Ndërsa prokurori ka thënë se janë 130 thirrje telefonike të shkëmbyera në mes të Ajetit dhe Mustafës.

Gjithashtu, prokurori e ka pyetur atë rreth një fotografie të cilën Ajeti e kishte me Mustafën në llogarinë e tij në facebook.

“Unë e kam postuar në facebook-un tim, arsyeja besoj ka qenë ndonjë datë diçka ose formimi i ushtrisë, ose 28 nëntor, diçka e tillë ka mundur me qenë. Normal e kam shkruar ndjehem krenar. Normal që e kam postu, ndjehem krenar që e kam pasur komandat, vazhdoj të ndjehem. Unë nuk mundem me mbështetë me këtë foto, mbështetje morale ka qenë, por sa i përket procesit me një foto nuk mundesh me mbështet, a moralisht e kam mbështet dhe vazhdoj me mbështet”, ka thënë dëshmitari.

Dëshmitari, duke i parë disa fotografi të shtëpive në Zllash, të cilat nuk janë bërë të ditura për publikun, ka thënë se në njërën prej tyre ka qëndruar edhe Guerila BIA.

Pas pyetjeve të prokurorisë, është kërkuar seancë private nga avokati mbrojtës i cili ka pasur pyetje për dëshmitarin.

Tutje ai ka pyetur atë nëse mbi të ka pasur ndikim rreth dëshmisë së tij në Hagë.

Këtë, Ajeti e ka mohuar dhe ka thënë se për dëshminë e tij në këtë proces gjyqësor e ka njoftuar vetëm bashkëshorten dhe vëllain e tij në Gjermani.

Procesi gjyqësor ndaj Salih Mustafës me dëshmitarin e radhës do të vazhdojë të mërkurën më 11 maj.

Salih Mustafa, i cili është arrestuar më 24 shtator të vitit 2020 me pretendimin për krime lufte.

Salih Mustafa po qëndron në paraburgim në Hagë, ndërsa në paraqitjen e tij para trupit gjykues ai është deklaruar i pafajshëm.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024