Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti deklaroi sot se Kosova në fund të procesit te dialogut me Serbinë duhet të shkojë drejt njohjes ndërkombëtare dhe pranimit në OKB dhe të gjitha institucionet e tjera ndërkombëtare.
Nga Ohri, ku po zhvillohet takimi ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, lideri i shqiptarëve në Maqedoni të Veriut u shpreh optimist se sot mund të arrihet një marrëveshje mbi planin e Bashkimit Evropian për normalizimin e mardhënieve Kosovë-Serbi si dhe aneksin për zbatimin e tij.
Ahmeti, i cili pati një takim me kryeministrin Kurti në Ohër tha se nuk ka biseduar në detaje më atë se ku janë ngecjet për udhërrëfyesin e zbatimit të ujdisë, mirëpo nënvizoi se ai i beson ShBA-së dhe BE-së.
Ai i bëri thirrje edhe Serbisë që të reflektojë pasi për tu anëtarësuar në BE, duhet t'i stabilizojë mardhëniet me Kosovën më gjitha fushat.
"Opozita në vazhdimësi edhe historikisht ka shfaqur mendime më të ndryshme nga ajo, e cila është përcaktuar në një platformë si zgjidhje përfundimtare", përfundoi ai.
Ndryshe, sot në Ohër të Maqedonisë së Veriut, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq do të diskutojnë për planin e Bashkimit Evropian për dialogun dhe zbatimin e tij./E.Zeqiri