Nënkryetar i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës për SHBA, Mentor Ahmeti deklaroi se Kongresi Klinik i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës ngritë nivelin shkencor kirurgjik në vend.
Kirurgu shqiptar që profesionin e ushtron në Amerikë në një intervistë për KosovaPress foli për kursin Advanced Trauma Life Support të Traumës ATLS i cili ka filluar të mbahet nga viti i kaluar në Kosovë.
Mentor Ahmeti i cili drejton edhe Kursin Advanced Trauma Life Support të Traumës (ATLS), u shpreh se ky kurs i cili tashmë ka nisur edhe në Kosovë e ngritë cilësinë e trajtimit të pacientëve të traumës.
“Kursin më të njohur për licencimin dhe certifikimin që merren me trajtimin e pacientëve të lënduar apo traumave fizike. Kursi është një kurs shumë intensiv, dy ditë e gjysmë dhe është kurs i cili jepet nëpërmjet Kolegjit të Kirurgëve të Amerikës, është një nga kurset e para që Kolegji i Kirurgëve të Amerikës e ka themeluar në mënyrë që të ngrit cilësinë e trajtimit të pacientëve në këtë rast të pacientëve të traumës”, deklaroi Ahmeti.
“Gjatë kësaj kohe janë bërë hapa shumë të mëdhenj në mënyrë që kursi të formalizohet në Kosovë brenda tri viteve. Një nga ata hapa është se kemi trajnuar 5 instruktorë nëpërmjet Kolegjit të Kirurgëve të Amerikës që janë në Kosovë punëtorë shëndetësor, 3 kirurgë, një doktoreshë anesteziologe dhe një doktoreshë nga emergjenca. Ata tani janë të njohur nga Kolegji i Kirurgëve të Amerikës si instruktorë”, tha ai.
Ahmeti për KosovaPress u shpreh se shëndetësia kosovare ka avancuar.
“Kemi arritur shumë, kemi mjekë në të gjithë Kosovën ma merr mendja që ka mjekë të mjaftueshëm, mirëpo distribuimi i tyre mund të mos jetë ashtu siç duhet natyrisht për ato duhet të bëhen si politika shoqërore dhe politika kapitaliste në mënyrë që të mbahen ata në vend dhe të dërgohen aty ku ka më së shumti nevojë”, deklaroi kirurgu shqiptar i traumës.
Kirurgu shqiptar i traumës që karrierën e tij e zhvillon në Amerikë, Mentor Ahmeti nuk e sheh shumë problematike largimin e mjekëve nga Kosova.
“Për vete nuk e shoh si problem të madh dje u pa sa kirurgë kemi jashtë që po bëjnë punë të mrekullueshme dhe pastaj po e sjellin këtu, programi ATLS është një fakt i tillë unë kam dal jashtë kam ikur nga Kosova mirëpo po kthehem në Kosovë me dicka shumë të madhe, po të isha në Kosovë do të isha mendoj se ka një potencial shumë të madh tek ata njerëz që po dalin jashtë në mënyrë që të zhvillohet infrastruktura këtu në mënyrë që ata t’i sjellin njohurit dhe ta përmirësojnë shërbimin këtu”, theksoi Ahmeti.
Në ditën e dytë të Kongresit të katërt Klinik të Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës i cili po mbahet në Prishtinë po marrin pjesë rreth 500 profesionistë shëndetësorë.