Kryeministri Albin Kurti mori pjesë në shënimin e Ditës Kombëtare të Irlandës të organizuar nga Ambasada e Irlandës në Kosovë. Në po të njëjtën ditë Irlanda feston edhe festën e Shën Patrikut, i cilësuar ndryshe si shenjtori mbrojtës i shtetit të Irlandës.
Në këtë festë të dyfishtë, e cila u mbajt mbrëmë, Kurti u shpreh se Kosova dhe Irlanda kanë pasur gjithmonë marrëdhënie miqësore që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, duke nënvizuar faktin që Irlanda ishte ndër vendet e para që njohu shtetin dhe shtetësinë tonë, qysh dymbëdhjetë ditë pas shpalljes së pavarësisë.
“Ne në Kosovë e vlerësojmë dhe e çmojmë partneritetin tonë me Irlandën”, tha kryeministri.
Ai shtoi se në një kohë kur kërcënimet e terrorizmit dhe agresioni në rajon janë në rritje, integrimi i Kosovës në institucionet euro-atlantike është më i rëndësishëm se asnjëherë më parë për paqen, sigurinë dhe të drejtat e njeriut në Ballkanin Perëndimor. Në këtë drejtim, kryeministri iu shpreh veçanërisht mirënjohës kryeministrit irlandez, Varadkar për mbështetjen e tij të zëshmen për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe Bashkimin Evropian.