AGK dënon kërcënimet ndaj gazetarëve pas raportimeve për Faton Hajrizin
Lexohet për: 2 min.
4 muaj më parë
Linku u kopjua

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka shprehur shqetësimin e thellë pas një sërë videosh kërcënuese, kryesisht në platformën Tik Tok, ndaj disa gazetarëve dhe mediave ditët e fundit në lidhje me raportimet për Faton Hajrizin, i arratisur nga burgu në Kosovë, dhe për të cilin raportohet se është vrarë në Serbi.  
 
Cak i sulmeve më së shumti janë bërë Ermal Panduri, autor i Debat Plus në RTV Dukagjini dhe Vehbi Kajtazi, udhëheqës i Paparaci, dhe panelist në Klan Kosova. Gjithashtu, me mesazhe fyese e kërcënuese janë paraqitur edhe fotografitë e Jehona Bajramit të Klan Kosova dhe Doruntina Bylykbashit të TV Dukagjini.  
 
Videot e kanë përshkrimin “Vrasësit e Faton Hajrizit”, dhe i akuzojnë mediat dhe gazetarët se kanë kontribuar në ngjarjet në Serbi, që çuan në vrasjen e Hajrizit.  


AGK thotë se akuzat ndaj mediave dhe gazetarëve përveç të pabaza, janë shumë të rrezikshme dhe vënë seriozisht në rrezik sigurinë e gazetarëve të apostrofuar dhe familjeve të tyre.  
 
Për më tepër, AGK u bën thirrje kolegëve gazetarë që të denoncojnë individët dhe llogaritë prej nga vijnë këto kërcënime, dhe fton Policinë e Kosovës të aktivizojë Njësitin e Krimeve Kibernetike për të gjetur dhe mbajtur përgjegjës kërcënuesit.  
 
Meqë shumë prej kërcënimeve vijnë nga jashtë Kosovës, AGK pret që autoritetet e sigurisë të bashkëpunojnë me partnerët e tyre jashtë vendit, për të zbuluar autorët e kërcënimeve me jetë ndaj gazetarëve.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024