Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë Jorn Rohde ka folur rreth agjendës së Këshillit të Ministrave sipas së cilës aktualisht Kosova nuk është në rendin e ditës për anëtarësim. Diplomati gjerman në një status në rrjetin X ka thënë se rendi i ditës së mbledhjes së Këshillit të Ministrave për datën 16 e 17 maj mund të ndryshojë në momentet e fundit, duke mos dhënë më shumë detaje. Ai ndërkaq ka paralajmëruar Kosovën se duhet të merr një vendim të guximshëm, duke aluduar kështu në krijimin e asociacionit, për të marrë votat e nevojshme për anëtarësim në organizatën evropiane. “Rendi i ditës për mbledhjen e Këshillit të Ministrave mund të ndryshohet edhe në minutën e fundit. Por sa më shpejt që Kosova të marrë një vendim të guximshëm, aq më realiste është të arrish 2/3 e shumicës për t'iu bashkuar Këshillit të Evropës,” shkroi Rohde.
Agjenda aktuale për takimin e 16 e 17 majit ka lënë Kosovës jashtë rendit të ditës sikurse ishte paralajmëruar më herët. Zëdhënësi i KiE Daniel Holtgen, tha se çështja e Kosovës nuk është në agjendën e Këshillit të Ministrave javën e ardhshme dhe se për momentin nuk dihet se kur mund të jetë, duke mos dhënë më shumë hollësi. Ndërsa Gerald Knaus nga Iniciativa Evropiane e Stabilitetit (ESI) ka thënë se Gjermania, Franca dhe Italia planifikojnë të vënë veton ndaj rekomandimit nga 82 për qind e deputetëve në PACE për hyrjen e Kosovës në KiE. Ai ka shtuar se gjitha kjo do të ishte një Waterloo diplomatike dhe rënie të besimit në drejtësinë e BE-së.
Dy ditë më parë pas një takimi me diplomatët e vendeve kryesore perëndimore në Prishtinë ai bëri thirrje që anëtarësimi në Këshillin e Evropës të mos ngatërrohet me normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, meqë këto procese janë të ndara. Por, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili është në fund të mandatit, tha se këto procese “janë shumë të lidhura”. Këshilli i Evropës, tha ai, “ka të bëjë me trajtimin e pakicave dhe Kosova ka bërë zotime të qarta për trajtimin e pakicave dhe kjo përfshinë edhe asociacionin”.
Kosova dhe Serbia u morën vesh në vitin 2013 për themelimin e Asociacionit, ndërsa në vitin 2015 u pajtuan për parimet e tij. Por, po atë vit, Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se një pjesë e madhe e këtyre parimeve janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Në tetor 2023, diplomatët evropianë dhe amerikanë u dorëzuan palëve një projekt statut të asociacionit, i cili duhet t’i nënshtrohet shqyrtimit të kushtetutshmërisë së tij nga Gjykata Kushtetuese para themelimit. Themelimi i tij është pjesë e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve për të cilën palët u pajtuan vitin e kaluar në Bruksel dhe në Ohër. Serbia u vu në fushatë kundër Kosovës në Këshillin e Evropës, ndonëse me marrëveshjen e Ohrit zotohet të mos kundërshtojë anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare.