Agjencitë turistike presin që të thyejnë rekorde me udhëtime këtë vit
Lexohet për: 5 min.
8 muaj më parë
Linku u kopjua

Sot po mbahet dita e tretë e Panarit Ndërkombëtar të Turizmit ‘Kosova 2024’, i organizuar për të tretin vit radhazi nga Unioni i Turizmit të Kosovës, ku po marrin pjesë mbi 300 biznese nga 15 shtete të ndryshme të rajonit dhe Evropës, me ofertat dhe eksluzivitetet e tyre për vizitorët.

Qëllimi i këtij panairi është që të bëhet promovimi sa më i madh i turizmit në Kosovë, kështu duke rritur numrin e vizitorëve, që ndikon edhe në rritjen e zhvillimit ekonomik të vendit tonë dhe mundësitë e punësimit.

Në këtë panair, ndër shumë biznese, po marrin pjesë edhe disa agjencione turistike siç janë: “Fibula”, “Prime”, “Plazh.com”, “Adria Tours”, e shumë të tjera.

Këto agjencione presin që këtë vit të thyejnë rekorde të reja sa i përket sukseseve të tyre, për çka thonë se me liberalizmin e vizave të Kosovës, kërkesa e klientëve për të udhëtuar është rritur jashtë mase.

Derisa udhëtimi për në Bullgari, direkt nga Prishtina u potencua si risia kryesore për këtë vit.

Pronari i Agjencionit “Fibula” në Kosovë dhe Shqipëri, Shpëtim Turku në një prononcim për KosovaPress tha se tremujori i parë i këtij vit ka pasur fluks më të madh të klientëve krahasuar me vitet e kaluara. Ai përmendi Greqinë, Spanjën, Italinë dhe Francën si vendet më të kërkuara nga klientët për t’u vizituar.

Risi për këtë vit, Turku përmendi fluturimin një herë në javë për në Bullgari.

Ai theksoi se ofertat e Fibulës janë të ndryshme dhe mundohen që t’iu përshtaten të gjithë “xhepave” të klientëve.

Ndërkaq, Besnik Vathi nga Tour Operatori “Plazh.com” në Shqipëri tha se me liberalizmin e vizave, është hapur një mundësi shumë e madhe për turistët kosovarë.

Ai tregoi se organizojnë udhëtime për në 60 vende të ndryshme të botës, duke përfshirë Barcelonën, Athinën, Tokio, Dubain, Abu Dhabin e të tjera.

Derisa avantazh kryesor të këtyre udhëtimeve të organizuara nga “Plazh.com”, Vathi përmendi faktin se klientët mund të udhëtojnë në grupe, që ndikon në uljen e çmimeve.

Ndërsa, agjeniconi turistik “Prime Travel”, po planifikon që Kosovës t’i sjell deri në 7 mijë turistë të huaj brenda vitit, me nënshkrimin e një kontrate pesë vjeçare me një operator të madh evropian.

Pronari i “Prime Travel”, Fisnik Dragusha për KosovaPress tha se posedojnë licencën tour operator në Zvicër, prej ku edhe kanë arritur deri tek kjo kontratë.

Ai potencoi se këta turistë do të vijnë për vizitë nga Gjermania, Austria dhe Zvicra.

Po ashtu, përfaqësuesi i agjencionit turistik “Adria Tours”, Granit Bajra tha se numri i qytetarëve që kanë dërguar për në Greqi dhe Bullgari është trefishuar, krahasuar me vitin e kaluar.

Edhe Bajra përmendi Bullgarinë si destinacionin më të ri dhe më të rëndësishëm për këtë vit.

Për KosovaPress, ai theksoi se në këtë panair kanë sjellur mbi 60 hotele nga Bullgaria dhe Greqia, të cilët kanë prezantuar ofertat e tyre.

Përveç agjencioneve turistike, në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit ‘Kosova 2024’, ofertat e tyre i prezantoi edhe hoteli më i ri në Shëngjin “Great White Hotel”, me lokacion tek Rana e Hedhun.

Menaxheri i “Great White”, cili do të hapet me 1 maj, Keler Sufi tregoi se ky hotel përbëhet nga 60 dhoma dhe se çmimi i tyre gjatë sezonës së verës fillon nga 120 euro, duke përfshirë mëngjesin, pishinën dhe detajet e tjera të akomodimit. Për KosovaPress, ai potencoi se kanë pritshmëri të larta për këtë vit sa i përket vizitorëve në këtë hotel.

Ndërkaq, organizimi i këtij panairi u bë nga kryetari i Unionit të Turizmit  të Kosovës, Baki Hoti, për çka u shpreh se qarkullimi i vizitorëve këtë vit, ka tejkaluar çdo pritshmëri.

Ai tregoi se për herë të parë edhe shteti i Maltës po err pjesë në këtë panair me produktet e saj.

Hoti theksoi se përgjatë këtyre tri ditëve sa po zgjat panairi, të gjitha produktet janë me nga 20 deri në 45 për qind zbritje.

Hoti u shpreh i lumtur për mbajtjen e këtij panairi, ngase përmes tij tregohet edhe imazhi i Kosovës.

Gjatë këtyre ditëve, Panairin Ndërkombëtar i Turizmit ‘Kosova 2024’ e vizituan qindra qytetarë. Ai do të jetë i hapur edhe sot për të gjithë ata që duan ta vizitojnë për të parë produktet dhe ofertat që prezantojnë bizneset e ndryshme. /Z.Zeneli/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024