Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), ka bërë të ditur se gjatë vitit 2023 ka pranuar gjithsej 666 ankesa që kanë të bëjnë me zbatimin e Ligjit për Qasje në Dokumente Publike dhe Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Për mohimin e qasjes në dokumente publike, AIP ka pranuar 549 ankesa, 449 prej tyre janë mbyllur, ndërsa 100 janë në proces të shqyrtimit.
Ndërsa, në kuadër të zbatimit të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, AIP ka pranuar 117 ankesa, ka kryer 118 inspektime, prej të cilave, 60 inspektime, sipas ankesës, 58 sipas detyrës zyrtare. Numri në total i vendimeve të nxjerra është 178.
AIP ka shqiptuar katër gjoba, prej tyre tri për kontrollues privatë (Asistenca Rrugore e Kosovës dhe Asistenca Rrugore “Kenguri” për aplikimin e marketingut të drejtpërdrejtë, si dhe ‘Soma’ Sh. P. K. për mos zbatimin e vendimit të Agjencisë për instalimin e sistemit të vëzhgimit me kamerë); ndërsa një gjobë ndaj Partisë Socialdemokrate për publikimin e të dhënave personale. Shuma totale e gjobave është 32 mijë euro.
Ajo është përfaqësuar në tetë konferenca ndërkombëtare dhe rajonale në cilësinë e panelistes, si dhe ka qenë nikoqire e Konferencës Rajonale për Mbrojtjen e të Dhënave Personale ‘’Iniciativa 20i7’.
Janë lëshuar 48 këshilla dhe opinione ligjore për kontrollues publikë dhe privatë, janë miratuar katër rregullore dhe janë nxjerrë pesë udhëzues për zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, si dhe janë lëshuar tetë vendime për transferim ndërkombëtar të të dhënave personale.