Mostra e ADN-së nga kockat dhe dhëmbët e evropianëve të lashtë që jetuan rreth 34.000 vjet më parë, kanë treguar se variantet gjenetike që tani rrisin rrezikun e zhvillimit të sklerozës së shumëfishtë (MS) dikur i mbronin njerëzit nga sëmundjet e bartura nga kafshët.
Shkencëtarët e zbuluan këtë duke ekzaminuar mostrat e ADN-së nga 1.664 njerëz nga vendet antike në Evropën Perëndimore dhe Azi.
Një zbulim i jashtëzakonshëm përfshinte MS, një sëmundje kronike e trurit dhe palcës kurrizore që mendohet të jetë autoimune.
Shkencëtarët kanë përcaktuar se rreth 5.000 vjet më parë, në fillim të epokës së bronzit, ka ndodhur një migrim i rëndësishëm i njerëzve. Barinjtë e popullatës Yamnaya u shpërngulën në Evropën Perëndimore nga stepat Pontiko-Kaspiane, të cilat shtrihen nga Evropa lindore deri në Azinë qendrore.
"Ne jemi rezultat i evolucionit që ka ndodhur në mjediset e kaluara dhe në shumë mënyra nuk jemi përshtatur në mënyrë optimale me mjedisin që kemi krijuar për veten tonë sot," tha gjenetiku i popullatës Berkeley Rasmus Nielsen, një nga drejtuesit e studimit, rezultatet e të cilit u publikuan në revistën “Nature”.
Rreth 11.000 vjet më parë, fermerët nga ajo që është sot Turqia erdhën në Evropën Perëndimore duke zëvendësuar gjuetarët-mbledhës. Më vonë ata u zëvendësuan nga njerëzit e popullit Yamnaya.
"Unë mendoj se popullsia është zëvendësuar kryesisht nga luftërat," shtoi ai. Një përqindje e lartë e pasardhësve Yamnaya ekziston në veri të Evropës, kryesisht në Irlandë, Islandë, Norvegji dhe Suedi, dhe zvogëlohet ndërsa shkoni në jug.
Zbulimet tregojnë se si karakteristikat gjenetike mund të ndryshojnë nga të dobishme në të dëmshme ndërsa kushtet e jetesës ndryshojnë.
“Këto variante gjenetike u bënë të tepërta për nevojat tona imune vetëm në epokën moderne, me higjienë dhe kujdes shëndetësor më të mirë, duke rezultuar në një rrezik të shtuar të zhvillimit të MS dhe sëmundjeve të tjera autoimune”, shtoi ai.
"Kjo ndryshon të kuptuarit tonë për MS, duke na ndihmuar të kuptojmë origjinën e saj. Ne mund të mendojmë për MS si rezultat i një sistemi imunitar që ka evoluar në mënyrë efektive për t'u marrë me një sërë infeksionesh në të kaluarën, dhe tani mbizotëron një mjedis tjetër.
Hulumtimi hodhi dritë edhe mbi karakteristika të tjera të evropianëve. Yamnaya ishin gjenetikisht të gjatë, kështu që edhe njerëzit e sotëm në veri të Evropës janë më të gjatë se në jug, ku jeton një përqindje e lartë e pasardhësve të fermerëve neolitikë që ishin të shkurtër.
Shkencëtarët kanë zbuluar se evropianolindorët kanë një rrezik gjenetik të rritur për të zhvilluar sëmundjen Alzheimer dhe diabetin e tipit 2. Ata zbuluan gjithashtu se toleranca ndaj laktozës u shfaq në Evropë rreth 6.000 vjet më parë.