Kurti: Investimi në KEK synon të rrisë kapacitetin e prodhimit për energji elektrike
Biznes
Lexohet për: 2 min.
Kurti: Investimi në KEK në synon të rrisë kapacitetin e prodhimit për energji elektrike
Foto Ilustruese
2 ditë më parë
Linku u kopjua

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka shpallur të premten tenderin për fazën I të projektit kapital "Rehabilitimi dhe Modernizimi i njësisë A3 në Termocentralin Kosova A". Përmes këtij projekti synohet të rrisë kapacitetin e prodhimit dhe të ndikoj në përmirësimin mjedisor të Njësisë A3.

I pranishëm në këtë ngjarje ishte edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, i cili ka deklaruar se përmes këtij investimi do të shtojnë dukshëm furnizimin me energji e po ashtu do të dyfishohet edhe prodhimi vjetor.

Ai ka theksuar se pas rehabilitmit e modernizimit synohet që kapaciteti i A3 do të arrijë në 215 megavat nga rreth 100 deri në 140 që sillet aktualisht.

“Prej se ka hyrë në punë në vitin 1970 Blloku A3 nuk ka ndalur prodhimin, përveçse për remonte dhe kujdesin e domosdoshëm për kapacitetin e prodhimit. Sot shënojmë fillimin e një projekti të jashtëzakonshëm të kujdesit për termocentralin Kosova A, rehabilitimi, dhe modernizimi i Bllokut A3 si dhe ripërcaktimi i qëllimit të KEK-ut për të ardhmen që na pret. Projekti i rehabilitimit dhe modernizimit të A3 i shërben kësaj strategjie duke përthekuar çdo cep të dilemës energjetike. Ky investim synon të rrisë kapacitetin e prodhimit dhe të përmirësojë efektshmerinë mjedisore të njësisë A3 e cila aktualisht prodhon një pjesë të rëndësishme të energjisë elektrike në Republikën tonë. Përftimet do të jenë të shumëfishta, po ja zgjasim jetën Bllokut A3 për 20 vjet, ose 150 mijë orë pune. Po rrisim kapacitetin që sot sillet rreth 100 deri në 140 megavat, pas rehabilitimit të modernizimit synojmë që kapaciteti i A3 do të arrijë në 215 megavat”, deklaroi Kurti.

Ai tha se me mbi 137 milionë euro ky projekt është investimi më i madh në kapacitetet gjeneruese në KEK që nga ndërtimi i termocentraleve katër dekada më parë.

Ndërsa, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli nënvizoi se vitet e ardhshme do të jenë sfiduese, pasi siç tha ajo, një kohë termocentralet do të jenë jashtë funksionit. Megjithatë, ka shtuar se rezultatet e procesit rehabilitues të termocentralit do të jenë pozitive.

Derisa, pozitive këtë investim e shohin edhe nga KEK. Sipas tyre, e ardhmja energjetike do të jetë më e qëndrueshme dhe i sigurt.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025