Mlladen Peroviq, mësues i matematikës në një shkollë fillore të Zvecanit, mbeti pa punë. Serbia edhe këtë herë ushtroi presionin e saj kundrejt serbëve të Kosovë. Vendimi për shkarkimin e tij erdhi pasi mori pjesë në një lojë të basketbollit në Beograd. Në tribunën ku ai ndodhej me 170 nxënës tjerë që jetojnë në Kosovë, befas nisën këngë ku u ‘ofendua’ presidenti i Serbisë. Peroviq akuzon njerëz nga Serbia se po i lënë pa punë serbët e Kosovës. Thotë se edhe kolegët që i dolën në mbështetje po kërcënohen nga po të njëjtit kërcënues. Në presionet e vazhdueshme ndaj serbëve të Kosovës ai implikon huliganët e “Crvena zvedës”, shkruan nova.
Mlladen Peroviq, mësues i matematikës në shkollën "Vuk Karaxhiq" në Zveçan, u pushua nga puna sepse dikujt nuk i pëlqeu që ai u ndodh befas në një situatë e cila automatikisht e cilësoi atë si “tradhti ndaj Serbisë dhe presidentit serb Aleksandar Vuciq”.
Gjithçka nisi kur mësuesi serb 33-vjeçar i Matematikës që punon në Kosovë, u ndodh në tribunë bashkë me 170 fëmijë të tjerë nga shkollat serbe në Kosovë.
Nga tribunat u dëgjuan brohoritje nënçmuese drejtuar presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.Në një rrëfim, Peroviq ka rrëfyer në detaje se si nisën telashet e që përfunduan me shkarkimin e tij.
“Ishin 170 fëmijë, 85 prej tyre nga Zveçani, të cilët i drejtova unë, të tjerët nga Leposaviqi dhe Zubin Potoku”, ka thënë Peroviq.
E nuk kaloi gjatë dhe atij iu kërkua llogari e cila pasoi me ndëshkim që i erdhi drejtpërdrejt nga Serbia.
"Ai udhëtim në Beograd nuk kishte të bënte me shkollën, kështu që mendova se po më pyeste për emra sepse mbërritëm të hënën në mëngjes nga një udhëtim dhe se disa fëmijë duhej të justifikoheshin nga mungesa në klasë."
Por sipas tij, drejtoresha në fakt donte të thërriste prindërit për një takim.
Sipas mediumit, prindërit dyshohet se dolën në krah të mësuesit dhe i kërkuan drejtorit të ndalonte përplasjen me të.
E pas kësaj mbledhje nisi gjithçka.
Në vendimin e shkarkimit thuhet se Peroviq ka humbur vendin e punës “për shkak të shkeljes së detyrimeve të punës” dhe “mosrespektimit të disiplinës së punës”.
Gjithashtu pretendohet se mësuesi ka futur notat në ditarin elektronik tetë ditë më vonë se afati i përcaktuar, se ka qenë me vonesë në punë dhe se ka abuzuar me detyrën e tij si mësues duke “rregulluar në mënyrë të papërshtatshme klasën” në një mënyrë që të “thellojë dhe zhvillojnë sjellje të dhunshme" të fëmijëve, dhe se ai i ka sjellë nxënësit e mitur në kontakt me grupet e tifozëve bazuar në "afinitetet personale".Ata në peticion theksojnë se loja nuk ka të bëjë me shkollën, por ka qenë një ekskursion i organizuar për fëmijët dhe se rregullimi i klasës në të cilën kanë marrë pjesë fëmijët është bërë me pëlqimin e eprorëve të tyre.
“Ishte një mënyrë që fëmijët të lidhen shoqërisht, të zhvillojnë ndjenjën e përkatësisë ndaj komunitetit/klasës dhe të kalojnë më lehtë periudhën e tranzicionit nga klasa e katërt në të pestën”, shtoi peticioni.
“Megjithatë, përkundër kontributit tim shumëvjeçar, unë u përballa me masa të padrejta disiplinore në vendin tim të punës që rezultoi me ndërprerje të menjëhershme të punës”, thotë Peroviq.
“Vendimi për shkarkimin tim është marrë pa marrë parasysh rrethanat dhe në kundërshtim me procedurat ligjore. Shumica e procedimeve u kryen nga individë të dyshuar për motive personale ose profesionale për të më diskredituar. Pavarësisht kontributeve të mia për shkollën dhe më gjerë, vendimi për përfundimin u mor pa marrë parasysh kontributet dhe reputacionin tim profesional”, thuhet në deklaratën publike të profesorit 33 vjeçar.
Kush po ushtron presion?
"Disa njerëz me hije nga këtu janë në grupet e organizuara të tifozëve të Yllit të Kuq.Ata i shqetëson dikush që i çon fëmijët në ndeshjet e Partizanit. Kjo është e vështirë t'i shpjegosh dikujt që nuk është nga këtu”, pohon Peroviq për Vreme.
“Ushtrojnë presion ndaj politikanëve, drejtorëve. Dhe është një komunitet i vogël, të gjithë dinë gjithçka. Dhe tani që disa nga kolegët e mi kanë filluar të nënshkruajnë një peticion në mbështetje ndaj meje, të njohurit i kanë telefonuar për t'i paralajmëruar dhe kërcënuar se do t'i lënë pa punë”, tha ai.