Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se është arritur marrëveshja për kthimin e pengjeve që mbahen në Rripin e Gazës, pasi paraprakisht deklaroi se kishte pengesa në minutën e fundit për finalizimin e një armëpushimi që do të pauzonte luftën 15-mujore.
Netanyahu tha se ai do të mbledhë kabinetin e tij të sigurisë më vonë gjatë së premtes dhe më pas Qeveria do ta miratojë marrëveshjen e shumëpritur për lirimin e pengjeve.
Kryeministri izraelit tha se ka udhëzuar një task-forcë speciale që të përgatitet për pranimin e pengjeve që do të kthehen nga Gaza dhe familjarët e tyre janë informuar se marrëveshja është arritur.
Të enjten, Izraeli shtyu votimin për armëpushimin, duke fajësuar se Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – për mospajtime në minutën e fundit, teksa tensionet në rritje brenda koalicionit qeverisës të Netanyahut shtuan shqetësimet për zbatimin e marrëveshjes.Zyra e Netanyahut akuzoi Hamasin se kishte refuzuar disa pjesë të marrëveshjes në përpjekje për të përfituar koncesione të mëtejme. Në një konferencë për media të enjten, zëdhënësi i Qeverisë izraelite, David Mencer, tha se Hamasi kishte bërë kërkesa të reja. Sipas tij, këto kërkesa kishin të bënin me dislokimin e forcave izraelite në Korridorin Filadelfi, që është një brez i ngushtë toke në kufi me Egjiptin që trupat izraelite e morën nën kontroll majin e vitit të kaluar.
Hamasi këto akuza i hodhi poshtë dhe Izzat al-Rishq, zyrtar i lartë i grupit, deklaroi se Hamasi është “i përkushtuar për marrëveshjen e armëpushimit, që u bë publike nga ndërmjetësit”.
Lufta nisi më 7 tetor 2023, kur Hamasi sulmoi Izraelin duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë.