Mbyllja e strukturave paralele, deklarohet ambasada së SHBA-së
Ambasada e SHBA-së në Prishtinë është deklaruar mbi mbylljen e institucioneve paralele serbe sot në Kosovë, duke thënë se këto çështje duhet të menaxhohen përmes dialogut.
Veprimet e vazhdueshme dhe të pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës për mbylljen e institucioneve të mbështetura nga Serbia, ndikojnë drejtpërdrejt dhe negativisht te qytetarët e Kosovës – serbët etnikë dhe komunitetet e tjera dhe minojnë aspiratat e Kosovës për t'iu bashkuar komunitetit euroatlantik, thuhet në një deklaratë në rrjetin X.
Ambasada amerikane thotë se këto çështje duhet të menaxhohen përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja, në mënyrë që të avancojë normalizimin dhe integrimin e Kosovës si një demokraci moderne, multietnike, evropiane dhe të mbrojë mirëqenien e qytetarëve të saj.
Për më shumë se 25 vjet, SHBA thotë se ka investuar shumë në Kosovë, duke punuar në partneritet me liderët e saj për të realizuar interesat tona të përbashkëta afatgjata.
“Këto veprime të pakoordinuara, kundër këshillave tona më të mira, dobësojnë besimin në marrëdhënie dhe kufizojnë aftësinë tonë për të ndihmuar Kosovën të sigurojë të ardhmen më të mirë dhe më të ndritshme për të gjithë njerëzit e saj”, përfundon deklarata.
Kujtojmë, sot janë mbyllur komunat paralele serbe në Prishtinë, Vitisë, Fushë Kosovë, Lipjan, Vushtrri, Novobërdë, Kamenicë, Obiliq, Rahovec e Skenderaj. Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla tha se me këtë përfundon epoka e institucioneve paralele e kriminale të Serbisë në Kosovë.