Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se nuk ka autorizuar kryerjen e kontrollit apo bastisjes në disa lokacione për shkak të dyshimit se ekzistojnë struktura paralele.
“Prokurori i shtetit sqaron opinionin publik se nuk ka autorizuar kryerjen e kontrollit apo bastisjes në këto lokacione, për shkak se nuk ka pasur ndonjë kërkesë zyrtare me shkrim për kryerjen e këtij aksioni nga ana e institucioneve gjegjëse, për çka edhe nuk është ofruar kurrfarë prove para prokurorit të shtetit për tu krijuar dyshimi i bazuar se është duke u kryer ndonjë vepër penale që bie nën kompetencën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë”, thuhet në njoftim.
“Prokurori i shtetit është i gatshëm dhe i përkushtuar në ndjekjen e veprave penale dhe kryerësve të tyre, gjithmonë duke u bazuar në legjislacionin në fuqi, si dhe duke u bazuar në parimin e barazisë dhe mos diskriminimit të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Gjatë ditës së sotme ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla tha se mëngjesin e së mërkurës janë mbyllur komuna paralele të Serbisë si dhe posta e zyre. Sipas tij, aksioni është zhvilluar në dhjetë komuna.Ndërkaq, ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi tha se "Nuk ka vend për strukturat kriminale të Serbisë në Republikën e Kosovës".
https://kosovapress.com/kosova-mbyll-institucione-paralele-serbe-ne-disa-komuna